Besëlidhja e Re

1 e Gjonit

1

Fjala e jetës

1 Çka ishte qysh në fillim,
çka dëgjuam,
çka pamë me sytë tanë,
çka soditëm dhe duart tona prekën,
në lidhje me Fjalën e jetës,
2 – po, Jeta u shfaq,
ne e pamë dhe dëshmojmë
dhe ju kumtojmë Jetën e pasosur,
që ishte te Ati dhe na u shfaq neve –
3 çka pamë e dëgjuam
po jua kumtojmë edhe juve
që edhe ju të keni bashkësi me ne.
E bashkësia jonë është me Atin
dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin.
4 Po ju shkruajmë këto që gëzimi ynë
të jetë i plotë.

Hyji është dritë

5 Dhe kjo është shpallja që e dëgjuam
prej tij
dhe po jua kumtojmë juve:
Hyji është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësire!
6 Nëse themi:
»Kemi bashkësi me Të«,
por jetojmë në errësirë,
ne rrejmë
dhe nuk e ushtrojmë të vërtetën.
7 Por, nëse ne ecim në dritë,
sikurse Ai është në dritë,
kemi bashkësi me njëri me tjetrin
dhe gjaku i Jezusit, Birit të tij,
na pastron nga çdo mëkat.
8 Por nëse themi:
»Ne nuk kemi mëkat«,
gënjejmë vetveten
dhe e vërteta nuk është në ne.
9 Por, nëse i pranojmë mëkatet tona,
Ai është besnik dhe i drejtë:
do të na i falë mëkatet
dhe do të na pastrojë nga çdo
padrejtësi.
10 Por, nëse themi:
»Ne nuk kemi mëkatuar«,
e bëjmë Atë rrenacak
dhe fjala e tij nuk është në ne.

Lexime: 61