Besëlidhja e Re

1 e Korintasve

1

Përshëndetje dhe falënderim

1 Pali, për vullnet të Hyjit, i grishur të jetë apostull i Krishtit Jezus, edhe vëlla Sosteni,
2 Kishës së Hyjit që është në Korint,
të shenjtëruarve në Krishtin Jezus,
të grishurve të jenë shenjtër,
bashkë me të gjithë ata, që në cilindo vend e thërrasin Emrin e Zotit tonë, Jezu Krishtit,
Zotit të tyre dhe tonë.
3 Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht! 4 Përherë i falem nderit Hyjit tim për ju që ju dha hirin hyjnor me anë të Krishtit Jezus, 5 sepse në Krishtin ju u bëtë të pasur me gjithçka në çdo fjalë e në çdo dije. 6 Kështu, aq u përforcua në ju dëshmia e Krishtit, 7 sa që nuk ju mungon asnjë dhuratë juve që pritni Zbulimin e Zotit tonë Jezu Krishtit. 8 Por edhe Ai do t’ju forcojë deri në fund që të jeni pa mungesa në Ditën e Zotit tonë Jezusit (Krisht).
9 Besnik është Hyji që ju thirri në shoqërinë e Birit të vet, Jezu Krishtit, Zotit tonë.

Përçarjet në kishën e Korintit

10 Ju përbej, o vëllezër, pashë Emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit: jini të gjithë një mendimi e të mos ketë përçarje ndër ju, por të jeni në përkim të plotë me ndjenja e në mendime.
11 Sepse, o vëllezër, njerëzit e Klojes më lajmëruan se mes jush ka grindje.
12 Ja, ku e kam fjalën: secili prej jush thotë:
"Unë jam i Palit!"
"Unë i Apolit!"
"Unë i Kefës!"
"Unë jam i Krishtit!"
13 Vallë, a qenka Krishti i ndarë? A mos u kryqëzua Pali për ju? Apo u pagëzuat në emër të Palit? 14 E falënderoj Hyjin që, me përjashtim të Krispit e të Gajit, nuk pagëzova asnjë ndër ju, 15 që askush të mos mund të thotë se u pagëzuat në emër tim. 16 E po, paskam pasë pagëzuar edhe familjen e Stefanës! Me sa më kujtohet, nuk kam pagëzuar të tjerë.
17 Sepse Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj Ungjillin, madje ta predikoj, jo me dituri fjale, që të mos i humbë fuqia kryqit të Krishtit.

Krishti, fuqia dhe urtia e Hyjit

18 E njëmend, predikimi për kryqin, për ata që dënohen, është marri, kurse, për ne të shëlbuarit, është fuqia e Hyjit.
19 Sepse është në Shkrimin shenjtë:
‘Do ta asgjësoj dijen e të dijshëmve,
do ta bëj të kotë urtinë e të urtëve.’
20 Ku është i dijshmi? Ku është mësuesi i Ligjit? Ku është shqyrtuesi i kësaj bote? Pse, a nuk e bëri Hyji marri urtinë e botës? 21 Për të vërtetë, pasi bota me urtinë e vet nuk e njohu Hyjin me anë të dijes së zbuluar prej Hyjit, i pëlqeu Hyjit, me marrinë e predikimit t’i shëlbojë besimtarët. 22 E, ndërsa hebrenjtë kërkojnë mrekulli e grekët lypin urti, 23 ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar për hebrenj skandal e për paganë marri, 24 kurse për të grishurit si për hebrenj si për grekë Krishtin fuqinë e Hyjit dhe dijen e Hyjit.
25 Sepse, çka në Hyjin duket marri, është më e dijshme se njerëzit e çka në Hyjin duket dobësi, është më e fuqishme se njerëzit. 26 Jo, po, vëllezër, pleqëroni kush jeni ju që e morët thirrjen e Hyjit? S’ka ndër ju shumë të dijshëm për sy të njerëzve, as shumë të fuqishëm, as shumë bujarë! 27 Por, Hyji zgjodhi të marrët në sy të botës për t’i turpëruar të mençurit dhe të dobëtit në sy të botës i zgjodhi Hyji, për t’i turpëruar të fortët; 28 dhe jo bujarët e botës e të përbuzurit i zgjodhi Hyji, mu edhe ata që nuk janë, që t’i asgjësojë ata që janë, 29 në mënyrë që asnjë njeri të mos mburret para Hyjit. 30 Po, Ai bëri "që ju të jeni" në Krishtin Jezus, i cili u bë për ne dije që vjen prej Hyjit, drejtësi, shenjtërim dhe shpërblim,
31 siç thotë Shkrimi shenjtë:
‘Kush mburret, le të mburret në Zotin.’

Lexime: 49