Besëlidhja e Re

1 e Selanikasve

1

Përshëndetja

1 Pali, Silvani dhe Timoteu:
Kishës së selanikasve në Hyjin Atë dhe në Jezu Krishtin Zot.
Paçi hir dhe paqe!

Feja dhe shembulli i selanikasve

2 Gjithmonë e falënderojmë Hyjin për ju të gjithë dhe vazhdimisht ju kujtojmë në lutjet tona
3 duke pasur para sysh fenë vepruese tuajën, dashurinë vetëmohuese dhe shpresën e qëndrueshme në Zotin tonë Jezu Krishtin para Hyjit, Atit tonë. 4 Sepse, o vëllezërit e dashur prej Hyjit, e dimë se jeni të zgjedhur, 5 pasi Ungjilli ynë nuk erdhi ndër ju vetëm me anë të fjalës, por edhe i përcjellë me fuqi dhe me Shpirt Shenjt dhe me mbushmendje të plotë. Të tillë, pra, siç e dini, kemi qenë ndër ju për ju. 6 Edhe ju u bëtë ndjekësit tanë dhe të Zotit duke e pranuar Fjalën me gëzimin që jep Shpirti Shenjt edhe pse në vështirësi të madhe, 7 kështu që u bëtë shembull për të gjithë besimtarët e Maqedonisë dhe të Akajës. 8 Sepse, prej jush, jo vetëm jehoi Fjala e Zotit nëpër Maqedoni e Akajë, por edhe feja juaj në Hyjin aq fort u përhap gjithkah, sa që ne s’kemi nevojë të flasim për këtë gjë. 9 Sepse njerëzit vetë tregojnë për ne: ç’pritje na bëtë, si u kthyet kah Hyji prej idhujsh që t’i shërbeni Hyjit të gjallë e të vërtetë 10 dhe që ta prisni nga qielli Birin e tij, të cilin e ngjalli nga të vdekurit, Jezusin, që na shpëton nga hidhërimi i ardhshëm.

Lexime: 32