Besëlidhja e Re

3 e Gjonit

1

Përshëndetje

1 Udhëheqësi,
Gajit të dashur, të cilin e dua në të Vërtetën.
2 Fort i dashuri,
Dëshiroj të jesh mirë me gjithçka, siç
është mirë edhe shpirti yt.
3 Për të vërtetë shumë u kënaqa kur
erdhën disa vëllezër dhe bënë dëshmi për
sjelljen tënde në të vërtetën: se si ti jeton në
dritën e së vërtetës.
4 Për mua s’ka gëzim më
të madh se të dëgjoj se fëmijët e mi jetojnë
në dritën e së Vërtetës.

Bashkëpunim dhe kundërshtim

5 Fort i dashur,
Vepron porsi besimtar i vërtetë në gjithçka
që bën për të mirën e vëllezërve, madje edhe
për të huaj.
6 Ata e dëshmuan dashurinë
tënde para Kishës dhe do të bësh mirë nëse
u jep çka lypet për udhëtim në mënyrë
të denjë para Hyjit.
7 Sepse për dashuri të
Emrit të Jezusit e morën rrugën pa marrë
farë ndihme prej paganëve.
8 Ne e kemi për
detyrë t’i pranojmë njerëzit e tillë që të jemi
bashkëpunëtorë të së Vërtetës.
9 I kam shkruar pak fjalë Kishës, por
Diotrefi, që do të jetë i pari ndër ta, nuk na
pranon.
10 Prandaj, kur të vij, do t’ia them
ndër sy veprat që bën duke folur keq kundër
nesh. Veçse atij as aq nuk i duket mjaft, por
nuk dëgjon t’i pranojë vëllezërit dhe, atyre
që do të donin, u kërcënohet dhe i përjashton
prej Kishës.
11 I dashur,
Mos e ndiq të keqen, por të mirën! Kush
bën mirë, është prej Hyjit, kurse kush bën
keq, nuk e ka parë Hyjin.
12 Për Demetrin po dëshmojnë mirë të
gjithë, madje edhe vetë e Vërteta. Po edhe
ne dëshmojmë për të. Ti e di se dëshmia
jonë është e vërtetë.

Përshëndetja e fundit

13 Kam shumë gjëra për të shkruar, por
s’po dua të vazhdoj t’i shkruaj me ngjyrë e
me pendë,
14 sepse shpresoj se do të të shoh
për së shpejti dhe do të flasim gojarisht.
15 Paqja me ty!
Të përshëndesin miqtë.
Përshëndeti miqtë emër për emër!

Lexime: 63