Besëlidhja e Re

Hebrenjve

1

Hyji na ka folur nëpër Birin e vet

1 Pasi Hyji herë pas here dhe në mënyra të ndryshme, në të kaluarën, u ka folur etërve me anë të profetëve,
2 së fundi, në këto ditë, na foli edhe neve me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtarin e të gjitha gjërave, nëpër të cilin edhe e krijoi gjithësinë. 3 Biri, që është pasqyrimi i Lavdisë dhe vula e qenies së Hyjit, që me të fuqishmen fjalën e vet mban gjithësinë, pasi e kreu pastrimin e mëkateve, ndenji në të djathtën e Madhërisë në qiell;
4 u bë aq më i pushtetshëm se engjëjt sa më të madhërueshëm se ata e trashëgoi Emrin!

Biri më i pushtetshëm se engjëjt

5 Dhe vërtet, cilit prej engjëjve Hyji i tha ndonjëherë:
*»Ti je im Bir
unë sot të linda?«*
Dhe prapë:
*»Unë do t’i jem Atë
dhe ai do të më jetë Bir?«*
6 Dhe prapë, kur dërgon të Njëlindurin Birin e vet në botë, thotë:
»Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Hyjit!«
7 Kurse për engjëjt Ai thotë kështu:
*»Ai i bën engjëjt e vet erëra,
shërbëtorët e vet flakë zjarri«.*
8 Ndërsa për Birin thotë:
*»Froni yt, o Hyj, në shekuj të shekujve,
dhe skeptër drejtësie - skeptri i Mbretërisë sate.*
9 *E ke dashur drejtësinë dhe e ke urryer padrejtësinë:
prandaj, o Hyj, Hyji yt të shuguroi me bagmin e gëzimit si asnjë ndër shokët e tu«.*
10 Edhe:
*»Ti, o Zot, në fillim e krijove tokën
edhe qiejt janë vepër e duarve të tua.*
11 *Ata do të zhduken kurse ti qëndron,
të gjithë do të vjetrohen si petku:*
12 porsi petk do t’i mbështjellësh
porsi mantel - dhe do të ndërrohen.
Ti vetëm i vetmi mbetesh i njëjtë - vitet e tua nuk kanë mbarim«.
13 Po, e për cilin ndër engjëj tha ndonjëherë:
*»Më rri në të djathtën time
derisa t’i vë armiqtë e tu
shtrojë të këmbëve të tua?!«*
14 A nuk janë, thua, të gjithë engjëjt shpirtra të ngarkuar me ndonjë shërbim, të dërguar për t’u shërbyer atyre që do ta trashëgojnë shëlbimin?

Lexime: 71