Besëlidhja e Re

Luka

1

Kushtimi Teofilit

1 Pasi shumë vetë ndërmorën të rendisin tregimin mbi ngjarjet që ndodhën në mesin tonë
2 ashtu siç na i lanë ata që i panë me sytë e vet që në fillim dhe u bënë mbarështues të Fjalës 3 e, pasi i shqyrtova hollësisht të gjitha që prej fillimit, vendosa t’i shkruaj për ty, i përndritshmi Teofil, të gjitha me radhë, 4 që të jesh i sigurt për palëkundshmërinë e mësimeve që more.

Paralajmërimi i lindjes së Gjon Pagëzuesit

5 Në kohën e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift me emrin Zakari, i rendit të Abisë. Gruaja e tij ishte prej bijave të Aronit dhe emrin e kishte Elizabetë.
6 Të dy ishin të drejtë para Hyjit, sepse u përmbaheshin pikë për pikë të gjitha urdhërimeve e porosive të Zotit. 7 Por nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte beronjë e të dy ishin të shtyrë në moshë.
8 Dhe një herë, kur Zakaria, sipas rendit të klasës së vet, po kryente shërbesën priftërore para Hyjit 9 sipas rregullores së priftërisë, i ra shorti të hyjë në Shenjtërore të Zotit për të kushtuar kemin. 10 Në kohën e flisë së kemimit, mbarë populli rrinte përjashta e lutej. 11 Atëherë iu duk engjëlli i Zotit: qëndronte në të djathtën e lterit të kemimit. 12 Zakaria, kur e pa, u tremb dhe e kapi frika. 13 Por engjëlli i tha:
"Mos u tremb, Zakari! Lutja jote u pranua dhe Elizabeta, gruaja jote, do të lindë një djalë. Ti ngjitja emrin Gjon.
14 Do të gëzohesh e do të galdosh, po edhe shumë të tjerë do t’i gëzohen lindjes së tij. 15 Sepse do të jetë i madh para Zotit. Nuk do të pijë verë as pije dehëse dhe do të jetë plot me Shpirtin Shenjt që në kraharorin e s’ëmës. 16 Shumë bij të Izraelit do t’i kthejë kah Zoti, Hyji i tyre.
17 Do të shkojë para tij me frymë e me fuqi të Elisë, ‘për të kthyer zemrat e etërve kah fëmijët’, e të padëgjueshmit në urtinë e të drejtëve që t’i bëjë gati Zotit një popull të gatshëm."
18 Atëherë Zakaria i tha engjëllit:
"Si mund të jem i sigurt për këtë gjë? Unë jam i vjetër e gruan e kam në moshë të shkuar."
19 Engjëlli iu përgjigj:
"Unë jam Gabrieli që rri para Hyjit. Ai më dërgoi të flas me ty e ta sjell këtë lajm të gëzueshëm.
20 Dhe, ja, ti do të mbetesh i pagojë dhe nuk do të mund të flasësh deri atë ditë kur këto të plotësohen, sepse nuk u besove fjalëve të mia, të cilat patjetër do të plotësohen kur të vijë koha."
21 Ndërkaq populli e priste Zakarinë dhe habitej pse vonoi aq shumë në Shenjtërore. 22 Kur doli, nuk mundi të flasë. Njerëzit e morën me mend se do të ketë pasur në Shenjtërore ndonjë vegim. Ai mundohej t’u tregojë me shenja, e mbeti i pagojë.
23 Kur u kryen ditët e shërbesës së tij, u kthye në shtëpinë e vet. 24 Pas kësaj kohe Elizabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë. Pesë muaj u fsheh e thoshte: 25 "Ja, çka bëri Zoti për mua: në këto ditë u denjua të ma heqë turpin që kisha para njerëzve!"

Lajmërimi i lindjes së Jezusit

26 Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret,
27 te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari.
28 Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha:
"Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!"
29 Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje.
30 Por engjëlli i tha:
"Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!
31 Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. 32 Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. 33 Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim."
34 Atëherë Maria i tha engjëllit:
"Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?"
35 Engjëlli iu përgjigj:
"Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë Biri i Hyjit.
36 Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. 37 Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!"
38 Atëherë Maria tha:
"Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!"
Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj.

Maria i shkon në pasi Elizabetës

39 Ndër ato ditë Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës.
40 Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën.
41 Tashti, Elizabetës, posa e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharor. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt 42 dhe brohoriti me zë të lartë:
"Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd!
43 Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim?! 44 Ja, që, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. 45 E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!"

Himni i Marisë

46 Atëherë Maria tha:
"Shpirti im e madhëron Zotin,
47 shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, 48 sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur:
ja, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
49 sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm
i shenjtë është Emri i tij!
50 Mëshira e tij brezni më brezni
për ata që e druajnë.
51 E tregoi fuqinë e krahut të vet:
i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
52 i rrëzoi princat prej froneve të tyre
e i lartësoi të përvuajturit.
53 Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
54 I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
55 si ua pati premtuar etërve tanë
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve
të tij në amshim."
56 Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj e atëherë u kthye në shtëpinë e vet.

Lindja e Gjon Pagëzuesit

57 Elizabetës i erdhi koha të lindë. Dhe ajo nxori në dritë një djalë.
58 Kur fqinjët e farefisi i saj dëgjuan se Zoti e tregoi mirësinë e vet të madhe ndaj saj, u gëzuan me të.
59 Të tetën ditë erdhën për të rrethprerë djalin. Donin ta quanin me emrin e të atit Zakari, 60 por e ëma tha:
"Assesi, por le të quhet Gjon!"
61 Ata iu përgjigjën:
"Askush në fisin tënd nuk quhet me këtë emër."
62 Atëherë me shenja e pyetën të atin ç’emër donte t’i vinte. 63 Ai kërkoi rrasëzën e shkrimit dhe shkroi: "Gjon është emri i tij!" Të gjithë u çuditën. 64 Po në atë moment i erdhi goja dhe iu zhdërvjell gjuha: fliste dhe lëvdonte Hyjin.
65 Të gjithë fqinjët e tyre i kapi frikë e madhe. Edhe në mbarë krahinën malore të Judesë flitej për këto ngjarje. 66 Kushdo që dëgjonte, thoshte në zemrën e vet: "Çka thua do të bëhet kjo foshnje?" Vërtet, dora e Zotit ishte me të.

Himni i Zakarisë

67 Atëherë Zakaria, i ati i tij, u mbush me Shpirtin Shenjt dhe profetizoi:
68 "Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit,
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
69 Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
70 sikurse premtoi kaherë me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
71 se do të na shpëtojë prej armiqve tanë dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
72 se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
73 e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë, se do të na e bëjë të mundshme 74 t’i shërbejmë pa frikë, të çliruar nga duart e armikut 75 në shenjtëri e drejtësi para tij për çdo ditë të jetës sonë.
76 E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, sepse do të shkosh përpara Zotit për t’ia përgatitur udhët,
77 për ta vënë në dijeni popullin e tij se Hyji do ta
shëlbojë duke ia falur mëkatet e tij,
78 në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
79 për të shndritur ata që gjenden në errësirë dhe në hijen e vdekjes,
për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes."
80 Ndërkaq foshnja rritej e zhvillohej shpirtërisht.
Jetoi në shkretëtirë deri atë ditë, kur iu dëftua ballafaqe Izraelit.

Lexime: 39