Besëlidhja e Re

Mateu

1

Breznitë e Jezu Krishtit si njeri

(Lk 3, 23 - 38)
1 Breznitë e Jezu Krishtit, të birit të Davidit,
të birit të Abrahamit.
2 Abrahamit i lindi Izaku.
Izakut i lindi Jakobi.
Jakobit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij.
3 Judës i lindi prej Tamarës Faresi dhe Zara.
Faresit i lindi Esromi.
Esromit i lindi Arami.
4 Aramit i lindi Aminadabi.
Aminadabit i lindi Naasoni.
Naasonit i lindi Salmoni.
5 Salmonit i lindi prej Rahabës Boozi.
Boozit i lindi prej Rutës Jobedi.
Jobedit i lindi Jeseu.
6 Jeseut i lindi Davidi mbret.
Davidit i lindi prej ish gruas së Urisë Salomoni.
7 Salomonit i lindi Roboami.
Roboamit i lindi Abiai.
Abiait i lindi Asafi.
8 Asafit i lindi Jozafati.
Jozafatit i lindi Jorami.
Joramit i lindi Ozia.
9 Ozisë i lindi Joatami.
Joatamit i lindi Akazi.
Akazit i lindi Ezekia.
10 Ezekisë i lindi Manaseu.
Manaseut i lindi Amosi.
Amosit i lindi Jozia.
11 Jozisë i lindi Jehonia dhe vëllezërit e tij në kohën e shpërnguljes në Babiloni.
12 Pas shpërnguljes në Babiloni,
Jehonisë i lindi Salatieli.
Salatielit i lindi Zorobabeli.
13 Zorobabelit i lindi Abiudi.
Abiudit i lindi Eliakimi.
Eliakimit i lindi Azori.
14 Azorit i lindi Sadoku.
Sadokut i lindi Akimi.
Akimit i lindi Eliudi.
15 Eliudit i lindi Eleazari.
Eleazarit i lindi Matani.
Matanit i lindi Jakobi.
16 Jakobit i lindi Jozefi, fati i Marisë,
prej së cilës lindi Jezusi që quhet Krisht.
17 Gjithsej, pra, katërmbëdhjetë brezni prej Abrahamit deri te Davidi; prej Davidit deri në shpërnguljen në Babiloni katërmbëdhjetë brezni; e prej shpërnguljes në Babiloni deri te Krishti katërmbëdhjetë brezni.

Lindja e Jezu Krishtit

(Lk 2, 1 - 7)
18 Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu:
Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Jozefin, para se të banonin së bashku, u gjend shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt.
19 Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta çnderonte botërisht, mendoi ta linte fshehtazi. 20 Posa në mendjen e vet vendosi të bëjë kështu, ja, iu duk në ëndërr engjëlli i Zotit dhe i tha: "Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. 21 Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tij."
22 E gjithë kjo ndodhi që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpërmjet profetit:
23 *"!Qe, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë,
të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel
që do të thotë: Hyji me ne"*
24 Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç i urdhëroi engjëlli i Zotit: e mori në shtëpi të fejuarën e vet. 25 E, pa pasur marrëdhënie martesore me të, ajo lindi djalin, të cilit ia ngjiti emrin Jezus.

Lexime: 79