Besëlidhja e Re

Zbulesa

1

Hyrje dhe përshëndetje

1 Zbulesa e Jezu Krishtit, të cilën ia dha
Hyji Atij për t’i vënë në dijeni shërbëtorët
e vet lidhur me ato që për së shpejti
do të ndodhin.
Ai bëri të dihen duke ia dërguar engjëllin
e vet Gjonit, shërbëtorit të vet,
2 i cili dëshmon
gjithçka ka parë, është fjalë e Hyjit dhe
dëshmi e Jezu Krishtit:
3 I lumi ai që i lexon
edhe ata që i dëgjojnë fjalët e kësaj
profecie dhe zbatojnë ato që janë të
shkruara në të. Sepse, koha e caktuar
është afër!
4 Gjoni, shtatë kishave që janë në Azi:
paçi hir dhe paqe
prej Atij që është, që ishte dhe që po
vjen dhe prej shtatë shpirtrave që
janë para fronit të Tij
5 dhe prej Jezu Krishtit, Dëshmitarit besnik,
të Parëlindurit ndër të vdekur, Sunduesit
të mbretërve të tokës!
Atij që na do,
që na çliroi nga mëkatet tona me gjak e vet,
6 që na bëri Mbretëri, priftërinj për Hyjin,
Atin e vet,
-Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj [të
shekujve].
Amen
7 Ja, po vjen me re
dhe do ta shohë çdo sy
edhe ata që e shporuan
dhe të gjitha fiset e tokës do të vajtojnë për shkak
të Tij.
Po! Amen!
8 Unë jam Alfa dhe Omega - thotë Zoti
Hyj, - Ai që është, që ishte dhe që po vjen,
i Gjithëpushtetshmi.

Gjoni sheh Krishtin

9 Unë Gjoni, vëllai juaj dhe bashkë me
ju pjesëtar në vuajtje, në mbretëri dhe në
qëndresë në Jezusin: isha për shkak të fjalës
së Hyjit dhe të dëshmisë së Jezusit në ishullin
që quhet Patmos.
10 Një ditë të Diel pata
vegim prej Shpirtit Shenjt dhe pas meje
dëgjova një zë të madh, porsi zë trumbete,
11 që më thoshte: »Çka po sheh, shkruaj në
libër dhe dërgojua shtatë kishave: në Efes,
në Smirnë, në Pergam, në Tiatirë, në Sardë,
në Filadelfi dhe në Laodice!«
12 U solla ta shoh zërin që po fliste me
mua; si u ktheva, pashë shtatë shandanë të
artë
13 dhe në midis të shandanëve dikë si
Birin e njeriut, të veshur me petk të gjatë dhe të
ngjeshur me brez ari rreth parzmës,
14 kryet e tij dhe flokët i kishte të bardhë porsi leshi i
bardhë, porsi bora e sytë e tij porsi flaka e zjarrit;
15 këmbët e tija ishin porsi bronzi i lëmuar,
i skuqur në furrë; zëri i tij porsi ushtima e ujërave
të mëdha;
16 në dorën e djathtë mbante
shtatë yje, nga goja e tij dilte një shpatë dy
tehesh, e mprehtë, fytyra e tij porsi dielli
kur ndriçon me plot fuqinë e vet.
17 Kur e pashë, rashë para këmbëve të tija
porsi i vdekur. Ai vuri mbi mua të djathtën
e vet e tha: »Mos u tremb! Unë jam i
Pari dhe i Sprapsmi,
18 i Gjalli! Isha i vdekur
dhe, ja, jam i gjallë për shekuj të shekujve
dhe unë i kam çelësat e Vdekjes dhe të
Nëntokës!
19 Shkruaj, pra, çka pe: çka është dhe çka
do të ndodhë më vonë!
20 Lidhur me fshehtësinë e shtatë yjeve që
i pe në të djathën time dhe lidhur me shtatë
shandanat e artë: shtatë yjet janë engjëjt
e shtatë kishave, kurse shtatë shandanat janë shtatë kishat.

Lexime: 50