Besëlidhja e Vjetër

1 i Kronikave

LIBRAT HISTORIKË


KRONIKAT, EZDRA, NEHEMIA


HISTORIA E IZRAELIT, PREMTIMI I HYJIT


Librat historikë të Biblës nuk janë një kujtim i thjeshtë i ngjarjeve të së kaluarës që tashmë është mbyllur, por një kujtesë e tanishme, vetëdije e gjallë e një populli që synon ta kryejë misionin e vet në historinë e zhvillimit të njerëzimit.
Librat e Kronikave, Ezdra dhe Nehemia janë një përpjekje e gjallë për ta kujtuar të kaluarën me qëllim që të përgaditet e ardhmja. Pas mërgimit një shekull e më këta libra e tregonin të kaluarën. ngjarjet e hershme dhe të kohës në mënyrën e vet të posaçme; por më tepër si përsiatje shprese për të ardhmen.
Nga fati i brendshëm i njerëzimit veçohet thirrja e Izraelit që sillet drejt mbretërisë dhe Tempullit të Jerusalemit: Izraeli me dinastinë e Davidit, Jerusalemi me Tempullin e kultit të vërtetë ndaj Hyjit shënën praninë e Hyjit midis njerëzimit.


Librat e kronikave


- Përsiatje e re mbi historinë e Izraelit -
Emërtim -Bibla hebraike i quan: »Dibre hajamim«, që do të mund të përkthehej me:»Fjalë/Ngjarje/të ditëve«, kurse shën Jeronimi i përkthen:»chronicon totius historiae divinae« - Kronikë e mbarë historisë hyjnore. Të Shtatëdhjetët e përkthyen greqisht: »Paraleipomenon« që do të mund të përkthehet me:»Lajme të lëna«që e plotësojnë atë që kanë thënë në librat e tjerë. Këtë emërtim e mori edhe Vulgata.
Ne po i quajmë Librat e Kronikave.
Mendojmë se është e nevojshme të theksohet se dy Librat burimorë ishin një libër i vetëm, ashtu siç ishin Librat e Samuelit dhe Librat e Mbretërve. Madje po shtojmë se, sipas të gjitha gjasave,këta dy libra, jo vetëm se njëri me tjetrin bënin një tërësi të vetme, por ishin bashkë edhe me libra tjerë: me Librin e Ezdrës dhe Librin e Nehemisë, për të cilët do të flasim në vendin e tyre.
Ndarja dhe përmbajtja - Dy Librat e Kronikave mund të ndahen në këto pjesë:
I. Breznitë prej Adamit e deri të Davidi /1 Kron 1 - 10/;



  1. Breznitë /1 Kron 1 - 9/;

  2. Sauli /1 Kron 10/;
    II. Davidi, themeluesi i dinastisë dhe i kultit në Tempull: /1 Kron 11 - 29/;

    1. Mbretëria e Davidit /1 Kron 11 - 14/;

    2. Arka e Besëlidhjes në Qytetin e Davidit /15 - 25/

    3. Përgaditja për ndertimin e Tempullit /21 - 29/;
      III. Salomoni dhe ndërtimi i Tempullit /2 Kron 1 - 9/;
      IV. Mretërit e Judës /2 Kron 10 - 36/;

    4. Reformat e para /10 - 27/;

    5. Reformat e mëdha / 28 - 35/;

    6. Shpartallimi i monarkisë /36,1 -21/;
      Përfundimi: Dekreti i Kirit /36,22 - 23/;
      Karakteri historik i librave
      S'ka dyshim se Autori shkruan histori, d.m.th. ngjarjet që i paraqet janë ngjarje historike.
      Por duhet pasur parasysh se nuk i paraqet ngjarjet thjesht ashtu siç kanë ndodhur, por përsiat mbi ngjarjet e ndodhura. Ai më tepër shkruan një teologji të historisë, kështu që lënden e zgjedh nga faktet historike për t'i dhënë lexuesit të kuptojë së shpëtimi vjen nëse populli i përmbaahet dinastisë së Davidit - sepse këtij i janë dhënë premtimet e Zotit - dhe kultit të vërtetë Hyjit të vërtetë në Tempullin e Jerusalemit. Ai dëshiron t'i mbrojë bartësit e jetës religjioze të ditëve të veta dhe të përshkruajë pamjen ideale të mbretërisë së Hyjit. Gjendja është tejet e mjerueshme: populli i tretur me dhunë ndër popuj paganë, Jerusalemi i shkatërruar, Tempulli i rrënuar, dhe pyetet: si mund të ndodhë një mjerim i tillë në popullin e zgjedhur? Me tërë librin përgjigjet: mbretër, priftërinj dhe popull e shkelën Besëlidhjen e Hyjit dhe prandaj Hyji i ndëshkoi. Por premtimet e Hyjit nuk kanë si të shkojnë kot: prandaj edhe shpresa në një përteritje të sigurt me Mesinë që duhet të rrjedhë prej Davidit. Prandaj edhe arsyeja që e shënon vetëm atë që ven për synimin e tij: shkurton ose s'shënon çka nuk shkon në këtë ujë. S'i përmend aspak mbretërit e Izraelit, por vetëm mbretërit e Judës. Edhe për këta nuk e intereson jeta private e tyre: s'e përmend idhujtarinë e pleqërimit të Salomonit etj. etj.
      Burimet
      Autori i Kronikave ka pasur parasysh dhe ka përdorur shumë burime. Prej burimeve të librave të frymëzuar ka përdorur: Zanafillën, Daljen, Numrat, Jozuehun, Rutën, dy Librat e Samuelit, dy Librat e Mbretërve. Prej burimeve profane përmenden gjashtëmbëdhjetë tituj, por ndoshta i njëjti libër citohet me disa tituj. Pastaj është shërbyer me dituri edhe me të dhëna gojore të rrethit të vet.
      Autori dhe koha e krijimit
      Sa i përket autorit të Librave të Kronikave, nuk mund të thuhet se kush ka qenë autori. Përgjithësisht mendohet së autor duhet të ketë qenë një levit dhe shumica mendon se duhet të jetë po ai i Librave të Ezdrës dhe të Nehemisë për shkak të sitemit të komponimit të tyre, të stilit dhe të fjalorit. Mendimi i atyre që mendojnë se duhet të kenë qenë shumë autorë, është pothuajse kjretësisht i braktisur prej specialistëve të Biblës.
      Po as lidhur me kohën e shkrimit të librave mendimi nuk është i prerë. Mendohet se nuk duhet të jetë assesi përpara 400 vj. para Krishtit por as nuk duhet të merret si më i vonshëm se viti 300 para Krishtit. Ka edhe të tillë që krijimin e Librit e ulin edhe deri në vitet 250 - 200, zakonishtë duke u mbështetur në disa të dhëna që mund të jenë shtesë e kohës së më vonshme.