Besëlidhja e Vjetër

Libri i parë i Mbretërve

LIBRAT E MBRETËRVE


Prej kulmit të lavdisë në shkatërrim: shkaku pabesnikëria


Emërtimi - Tanimë është përcaktuar të quhet Libri i mbretërve, i pari dhe i dyti. Origjinali ishte një libër i vetëm, por përkthyesit në greqisht, LXX e ndanë në dy libra, përafërsisht me të njëjtën madhësi dhe Vulgata e ndoqi këtë ndarje /Vulgata i quajti Libri III dhe IV i Mbretërve sepse me këtë emërtim përfshinte edhe dy librat e Samuelit/. Këtë ndarje e mori edhe Bibla hebraike që prej vitit 1517. Nova Vulgata Vulgata e Re, të cilën edhe ne e ndjekim, i quan: Libri I dhe II i Mbretërve.
Përmbajtja - Librat flasin për historinë e popullit të zgjedhur që prej vdekjes së Davidit e deri në shkatërrimin e popullit të zgjedhur me shpërnguljen me dhunë në Babiloni, në të vërtetë, deri në çlirimin e Jojakinit në vitin 561.
Përmbajtja e librit mund të ndahet në tri pjesë:
Pjesa I: Historia e Salomonit /1 Mbr 1 - 11/:
a/ Veprat e sprasme të Davidit /1, 1 - 2, 11/;
b/ Vitet e para të Salomonit /2, 12 - 4, 34/;
c/ Ndërtimi i Tempullit /5, 1 - 9, 19/;
d/ Kulmi dhe perëndimi i mbretërisë së Salomonit /9, 20 - 11, 43/.
Pjesa II: Historia e dy mbretërive të ndara:
a/ Ndarja politike dhe religjioze /1 Mbr 12, 1 - 24, 17/;
b/ Historia e mbretërive të ndara /1 Mbr 12, 25 - 16, 34/;
c/ Historia e Elisë dhe e Elizeut /1 Mbr 17 - 2 Mbr 1- 13/;
d/ Vijim i historisë së mbretërive të ndara /2 Mbr 14 - 17/.
Pjesa III: Historia e mbretërisë së Judës deri në shpërngulje; /2 Mbr 18 - 25/:
a/ Mbretëria e Ezekisë, mbretit të përshpirtshëm /18 - 20/;
b/ Kobësia e Manaseut dhe e Amonit /21/;
c/ Ripërtëritja religjioze e Jozisë /22, 1 - 23, 30/;
d/ Shpartallimi dhe shpërngulja e Judës /24, 1- 25, 26/;
e/ Falja që e fitoi Jojakini /25, 27 - 30/.
Vlera historike - Megjithëse Autori ka përdorur të dhëna historike dhe ato, me pak përmirësime, përputhen me të dhënat historike të kohës, kështu që kanë vlerë historike, prapëseprapë synimi i Autorit është: më tepër një interpretim i historisë në dritën e porosisë themelore të Deuteronomit - Ligjit të Përtërirë: Një Hyj i vetëm, një Tempull i vetëm.
Pa vështirësi mund të hetohet nga lexuesi se rrjedha e tregimit të ngjarjeve ka për qëllim të theksojë e të argumentojë se pabesnikëria ndaj Besëlidhjes me Hyjin dhe ndaj kultit të tij i ka sjellë popullit të zgjedhur rrënimin deri në shpërngulje e në mërgim me dhunë. Synimi i Autorit ka qenë të vërë në pah si është e mundur që populli i zgjedhur, prej kulmit të lavdisë, të bjerë aq poshtë, më së pari duke u ndarë politikisht e religjiozisht, e pastaj, nga pabesnikëria e mbretërve, edhe mbarë populli të marrë rrugën e shkatërrimit të vetvetes për shkak të pabesnikërisë ndaj Hyjit.
Ngjarjet e përsiatura në dritën e fesë e bëjnë lexuesin të hetojë pa vështirësi se mëkati është shkaku i rrënimit të individit dhe të bashkësisë qoftë ai edhe populli i zgjedhur i Zotit si bashkësi ose edhe i Shuguruari /të tillë ishin mbretërit, historia e të cilëve paraqitet/, domethënë në kushtet kur nuk i shmangen udhës së mëkatit. Mendimi qendror i librit, ose i librave është: Besëlidhja e Hyjit nuk bën të tradhtohet.
Ky kënd shikimi vërtet ka diçka ndrydhëse, por është çështja e rëndësisë së madhe të njeriut të pajisur me vullnet të lirë.
Mëkati është kudo kaq thellë i mbërthyer në njeriun dhe i bërë, të thuash, petk në të, saqë vetë Zoti duhet të ndërmarrë diçka për të trajtuar në njeriun »një zemër të re« /Jeremia 3l, 32 ev. /. Tregimi i çlirimit të Joakinit në shtojcën e librit, është si një thirrje shprese për shpirtrat e bërë hi e pluhur prej shkatërrimit e deportimit.