Besëlidhja e Vjetër

2 i Kronikave

1

III. SALOMONI DHE NDËRTIMI I TEMPULLIT

Salomoni e merr dhuratën e dijes

1 Salomoni, biri i Davidit, ishte përforcuar në mbretërinë e tij. Zoti, Hyji i tij, ishte me të dhe e ngriti në kulm madhërinë e tij.
2 Atëherë Salomoni i urdhëroi mbarë Izraelit: mijëtarëve, urdhërqindësve, gjyqtarëve, prijësve të mbarë Izraelit, krerëve të familjeve 3 dhe mbarë bashkësinë shkoi në kodrinën e Gabaonit, ku ishte Tenda e Takimit të Hyjit, që e kishte punuar Moisiu, shërbëtori i Hyjit, në shkretëtirë. 4 Davidi e kishte sjellë Arkën e Hyjit prej Kariatiarimit në vendin që e kishte pasë bërë gati për të dhe ku ia kishte ngrehur Tendën: d.t.th. në Jerusalem.
5 Lteri i bronztë, që e kishte punuar Beseleeli, biri i Urisë së Hurit, ishte atje para Banesës së Zotit e Salomoni dhe mbarë bashkësia shkuan atje.
6 Shkoi pra, Salomoni te lteri i bronztë pranë Tendës së Takimit të Zotit dhe aty i kushtoi një mijë fli. 7 Po këtë natë Hyji iu dëftua Salomonit. I tha: »Lyp çka dëshiron të të jap.« 8 Salomoni iu përgjigj Hyjit: »Ti e përkrahe shumë tim atë Davidin, kurse mua më bëre mbret në vend të tij. 9 Tash, pra, o Zot, Hyj, plotësoje zotimin tënd që ia dhe atit tim Davidit, pasi më bëre mbret mbi popullin tënd të shumtë që është i panumërt porsi pluhuri i tokës,
10 më jep dije e kuptim që ta udhëheq popullin tënd. E njëmend, kush mundet ta sundojë denjësisht një popull kaq të madh siç është yti?« 11 Atëherë Hyji i tha Salomonit: »Pasi i pëlqeu zemrës sate kjo gjë e nuk kërkove pasuri, mirëqenie e lavdi, as vdekjen e atyre që të urrenin, madje as jetë të gjatë, por kërkove urtësi e dije që të mund t’i prish popullit tim, mbi të cilin të bëra mbret,
12 të janë dhënë dija e kuptimi! Por unë do të të jap edhe mirëqenie e lavdi, kështu që askush ndër mbretër, as para teje as pas teje, të mos jetë i ngjashëm me ty!« 13 U largua, pra, Salomoni nga prania e Tendës së Takimit prej kodrinës së Gabaonit në Jerusalem dhe mbretëroi mbi Izraelin. 14 Bashkoi karroca lufte dhe kalorës. Pati një mijë e katërqind karroca lufte dhe dymbëdhjetë mijë kalorës të shpërndarë nëpër qytete dhe pranë vetes në Jerusalem. 15 Salomoni ia doli të sillte në Jerusalem argjend e ar si gurë, e lëndë cedri porsi dru mani që rritet në Sefelë me shumicë të madhe. 16 Kuajt ia sillnin prej Egjiptit dhe prej Koes. Tregtarët e mbretit i blenin në Koa.
17 Ata e sollën në vend një karrocë lufte dhe e shitën për gjashtëqind sikla të argjendtë si dhe një kalë për njëqind e pesëdhjetë. Kështu bëhej edhe për të gjithë mbretërit e tjerë të hetitëve e të Sirisë të cilët importonin përmes tyre.

Përgatitjet e fundit. Hirami i Tirit

18 Salomoni vendosi ta ndërtojë një Shtëpi në nder të Emrit të Zotit dhe një pallat për vete.

Lexime: 63