Besëlidhja e Vjetër

Libri i dytë i Kronikave

21
1 Jozafati pushoi me etërit e vet dhe qe varrosur me ta në Qytetin e Davidit. Në vend të tij u bë mbret Jorami, biri i tij.

5. Paudhësia dhe vështirësitë nën sundimin e Joramit, Akazisë, Atalisë dhe Joasit

Mbretëria e Joramit

2 Jorami ka pasur gjashtë vëllezër, bij të Jozafatit: Azarinë, Jahielin, Zakarinë, Azarinë, Mikaelin e Safatinë. Të gjithë këta ishin bijtë e Jozafatit, mbretit të Izraelit.
3 I ati i tyre u dha shumë dhurata në argjend dhe ar, gjëra të çmueshme dhe qytete të fortifikuara në Judë, kurse mbretërinë ia dha Joramit, sepse ky ishte i parëlinduri.
4 Jorami, si e mori në dorë mbretërinë e t'et dhe, pasi e përforcoi pushtetin, me shpatë i preu të gjithë vëllezërit e vet dhe disa prej prijësve të Izraelit.
5 Jorami ishte tridhjetë e dy vjeçar kur u bë mbret. Në Jerusalem mbretëroi tetë vjet. 6 Ndoqi udhën e mbretërve të Izraelit, siç kishte vepruar shtëpia e Akabit, sepse bija e Akabit ishte gruaja e tij. Ai bëri gjëra që janë të këqija para syve të Zotit. 7 Megjithatë Zoti nuk deshi ta zhbinte familjen e Davidit, për shkak të besës që e kishte lidhur me të dhe pse i kishte premtuar se do t’ia linte atij dhe bijve të tij një dritë të ndezur përgjithmonë.
8 Gjatë mbretërimit të tij Edomi u çua në kryengritje për të mos ndenjur nën sundimin e Judës dhe e vuri mbretin e vet. 9 Jorami, së bashku me prijësit e vet dhe me karrocat e luftës që ishin me të, e kaloi kufirin, u çua natën e i ra Edomit që e kishte rrethuar atë dhe të gjithë prijësit e karrocave të luftës, dhe i mundi. 10 Megjithatë Edomi u çua në kryengritje për të mos qenë nën sundimin e Judës dhe e fitoi pavarësinë që e ka edhe në ditën e sotme. Po në këtë kohë u shkëput nga dora e tij edhe Lobna, sepse Jorami e kishte lënë Zotin, Hyjin e etërve të vet. 11 Për më tepër ai ndërtoi edhe lartësira në malet e Judës, i bëri të lavirësojnë banorët e Jerusalemit e ta lërë Juda rrugën e Zotit. 12 Aso kohe i arriti një letër prej profetit Eli, në të cilën i shkruante: »Kështu thotë Zoti, Hyji i Davidit, babait tënd: Pasi nuk ece udhëve të Jozafatit, babës tënd, as udhëve të Asës, mbretit të Judës, 13 por more rrugën e mbretërve të Izraelit dhe bëre të lavirësojë Juda e jerusalemasit duke e ndjekur lavirësinë e shtëpisë së Akabit e, pasi, për më tepër i vrave edhe vëllezërit e tu, bijtë e tyt eti, më të mirë se veten: 14 ja, Zoti do ta godasë me fatkeqësi të madhe popullin tënd, bijtë e gratë e tua dhe gjithë pasurinë tënde. 15 E ti do të sëmuresh me një sëmundje tepër të keqe barku, kështu që, dalëngadalë, për çdo ditë zorrët e tua do të dalin përjashta.«
16 Atëherë Zoti e zgjoi kundër Joramit shpirtin e armiqësisë të filistinëve e të arabëve që jetojnë përngjatë etiopiasve. 17 Ata i ranë Judesë, e sulmuan dhe e rrëmbyen gjithë pasurinë që kishte pallati mbretëror, pastaj edhe bijtë e gratë e tija dhe s’i mbeti djalë tjetër, përveç Joakazit, që ishte djali më i vogël. 18 Pas kësaj Zoti e goditi me një sëmundje të pashërueshme barku. 19 Ditë pas dite, koha po shkonte e, në krye të dy vjetëve, kështu e shkriu sëmundja e gjatë deri sa i dolën zorrët dhe vdiq në dhembje të papërshkrueshme. Vdiq prej kësaj sëmundjeje të tmerrshme. Populli nuk i bëri djegie erërash të mira, sikurse u kishte bërë të parëve të tij.
20 Ishte tridhjetëedyvjeçar kur u bë mbret dhe në Jerusalem mbretëroi për tetë vjet. Vdiq pa iu dhembsur askujt. E varrosën në Qytetin e Davidit, por jo në varrezat e mbretërve.

Lexime: 66