Besëlidhja e Vjetër

Profecia e Amosit

Profecia e Amosit


- Kundër padrejtësisë shoqërore -


Emërtimi - quhet sipas emrit të profetit, profecitë e të cilit janë të përmbledhura: Profecia e Amosit.
Kush ishte Amosi - Amosi ishte nga Tekua, një vend i vogël në rrethinën e Betlehemit, bari dhensh dhe që merrej edhe me kultivimin e fiqve të egjër. Për profet Zoti e thërret papritmas /7, 14/.
Edhe para Amosit ka pasur profetë, por Amosi ka përparësinë ndër profetë qoftë ashtu të quajturit ‘Të mëdhenj’, qoftë edhe ‘Të vegjël’, se është i pari ndër ata nga të cilët na kanë mbetur përmbledhjet e predikimeve të tyre.
Predikoi në Mbretërinë e Veriut ose si quhet edhe të Izraelit në kohën e Jeroboamit II /783-743/ para Krishtit.
Libri dhe ndarja - Libri ka për përmbajtje: padrejtësinë shoqërore dhe idhujtarinë.
Mbreti Jeroboam II ia doli të sjellë mirëqenie të madhe në mbretërinë e vet në saje të periudhës së paqes e të tregtisë me qytetet idhujtare të Tirit e të Sidonit. Me mirëqenie hynë edhe idhujtaria dhe padrejtësia shoqërore. Krerët e pasanikët ndrydhin shumë e shfrytëzojnë tepër skamnorët. Profeti çohet kundër këtyre padrejtësive. Edhe më rëndë e shqetëson çështja e besimit. Shërbesa hyjnore e kryer, njëmend me madhëri, është bërë vetëm formalitet i jashtëm.
Libri zakonisht ndahet:



  1. Titulli 1, 1;

  2. Profecitë kundër paganëve e Izraelit 1, 2 - 2, 16;

  3. Qortime e kërcënime 3 - 6;

  4. Vegimet 7, 1 - 9, 8a;

  5. Përfundimi: përtëritja 9, 8b - 15.
    Porosia - Atë që beson në Hyjin dhe në Besëlidhjen me Të, e mëson se historia botërore dhe sjellja e njerëzve e kanë qëllimin e vet. Ta lexonin njerëzit, sidomos ata që e kanë përkohësisht në dorë fatin e njerëzve, do t’i preknin thellë në ndërgjegje padrejtësitë e bëra ndaj të vegjëlve por edhe amullimi shpirtëror që s’kanë sy ta shohin e vesh t’i dëgjojnë për t’i ndaluar padrejtësitë shoqërore. Por, në fund, është Zoti ai që të drejtën do ta çojë në vend, sepse Ai është Zotëruesi i gjithësisë /9, 11-15/.