Besëlidhja e Vjetër

Libri i Esdrës

Libri i Esdrës


Kthimi në atdhe


Me sa pamë deri këtu, popullin e zgjedhur, e lamë në një mjerim të madh, të tretur e të shpërngulur me dhunë në mbretërinë e Babilonisë, edhe pse me shpresë për një të ardhme të lumtur, veçanërisht me shpalljen e mbretit të Persisë, Kirit, për atdhesim /2 Kr 36, 22-23/.
Për ta përcjellë hap pas hapi këtë riatdhesim dhe formimin e judeizmit, kronisti na la dy libra të shenjtë, atë të Esdrës dhe të Nehemisë.

Emërtimi- Dy librat e tanishëm në fillim përbënin një libër të vetëm që quhej Esdra.
Kështu Bibla hebraisht dhe përkthimi greqisht i LXX. LXX e përmbanin edhe apokrifin, që quhej Esdra medje në vendin e parë, 1,2,3. Në kohën e krishterë libri u nda në dy libra: Esdra 1 dhe Esdra 2, ku Esdra 1 i përgjigjet Esdrës, kurse Esdra 2 Nehemisë, ndërsa ndersa Esdra 1 i LXX u quajt Esdra 3. Emërtimi i Librave me Esdra e Nehemia është shumë më i vonshëm dhe i përket vitit 1448 kur u shtyp Bibla hebraike e Bombergut.
Përmbajtja dhe ndarja -Libri flet për riatdhesimin e izraelitëve që kishin qenë shpërngulur me dhunë në mbretërinë e Babilonisë dhe për rivendosjen e tyre në truallin e të parëve si dhe për formimin e judeizmit si kombësi dhe ripërtëritjen e tyre fetare e kombëtare.
Mund të ndahet në:



  1. ardhjen e karvaneve të para të të riatdhesuarve në Jerusalem nën drejtimin e Sasabasarit /Zorobabelit?/ dhe rindërtimin e Tempullit /kk 1-6/;

  2. ardhjen e dytë të të riatdhesuarve në Jerusalem në vitin e shtatë të Artakserksit, nën drejtimin e Esdrës priftit dhe skribës, njeriun në zyrën e lartë të oborrit të mbretërve parsianë për çështje të judenjeve. Ky bën reforma lidhur me besimin dhe me kultin hyjnor dhe merr masa të ashpra kundër martesave të përziera /7 - 10/.
    Mendimi teologjik i Librit -Kujdesi kryesor i shkrimtarit është i përqëndruar në përtëritjen e bashkësisë besimtare judeje, të Tempullit dhe të Jerusalemit. Përtëritja merr për bazë Ligjin e Moisiut.
    Duke përsiatur se çka e gjeti Popullin e zgjedhur për shkak se e harroi Zotin, Hyjin e etërve të vet, dhe në ç'mjerim e shpuri kjo, bëri çmos që t'i kthente kah Ai. Izraeli i varfër, i dobësuar nga çdo anë, nevojtar, mëkatar, i rrahur e i përplasur, i tretur dhe i skllavëruar, i mposhtur kombëtarisht, shtetërisht e fetarisht, e sheh së është zhdukur ëndrra e monarkisë së dikurshme, por, prapëseprapë, në gjithë këtë mjerim e ndjen veten të thirrur të bënte një ripërtëritje shpirtërore dhe t'ia kthente nderin Popullit të zgjrdhur të Hyjit. Bazë e ripërtëritjes ishte Ligji i Moisiut. Një numër i madh kthehet nga shpërngulja dhe, edhe pse me trazime të mëdha, u rivendos në truallin e të parëve. Kështu kërkoi ringjalljen e shpirtit dhe fuqinë e ripërtëritjes së Ligjit të Moisiut, shërbëtorit të Zotit në kryeqytetin e vet, Jerusalemin e zgjedhur prej Zotit, në Tempullin dhe në Shtëpinë e Tij.
    Çfarë i porositë Libri lexuesit të sotëm? Dëgjo Zotin në urdhërimet e tija dhe ruaje thirrjen tënde me tërë kujdesin e njeriut të ditur.