Besëlidhja e Vjetër

Libri i Esdrës

4

Samaritanët kundërshtojnë dhe pengesat e tyre në kohën e Kirit

1 Kur armiqtë e Judës e të Beniaminit e morën vesh se të humburit e riatdhesuar po e ndërtonin Tempullin e Zotit, Hyjit të Izraelit,
2 iu paraqitën Zorobabelit dhe krerëve të familjeve e u thanë: »Bashkë me ju dëshirojmë ta ndërtojmë Shtëpinë e Zotit, sepse edhe ne sikurse ju e kërkojmë Hyjin tuaj, dhe i kemi kushtuar fli që prejkohës së Asorhadanit, mbretit të Asirisë, i cili na solli këtu.«
3 Zorobabeli, Jezuai dhe krerët e tjerë të familjeve të Izraelit u përgjigjën: »Nuk bën që ju e ne së bashku ta ndërtojmë Shtëpinë e Hyjit tonë, por do ta ndërtojmë ne vetëm Shtëpinë e Hyjit të Izraelit si na ka urdhëruar Kiri, mbreti i Persisë.«
4 Atëherë popullsia e vendit filloi ta trembë popullin e Judës e ta pengojë në ndërtim. 5 Paguan disa nga këshilltarët kundër tyre për t’ua çuar kot synimet. Kështu ngjau gjatë krejt kohës së Kirit, mbretit të Persisë, deri në mbretërimin e Dariut, mbretit të Persisë.

Pengesat e samarianëve në kohën e Asuerit dhe të Artakserksit

6 Në kohën e mbretërimit të Asuerit, në fillim të mbretërimit të tij, e shkruan padinë kundër banorëve të Judës dhe të Jerusalemit.
7 Edhe në kohën e Artakserksit, Beselami, Mitridati, Tabeli, dhe shokët e tjerë që ishin në këshillin e tyre, i shkruan Artakserksit, mbretit të Persisë. Padia ishte e shkruar me shkronja siriane e në gjuhë siriane.
8 Pastaj qeveritari Reum dhe sekretari Samsaj i shkruan mbretit Artakserks një letër kundër Jerusalemit me këtë përmbajtje:
9 »Qeveritari Reum, sekretari Samsaj dhe shokët e tjerë të tyre, gjykatës e zyrtarë e delegatë persianë, erkuenj, babilonas, suzanekenj - d.m.th elamitë 10 dhe të tjerë nga popujt që i madhi e i lavdishmi Asenafar i solli dhe i vendosi të banojnë në paqe në qytetet e Samarisë dhe në krahinat e tjera të Përtejlumit.«
11 Kjo është dysheritja e letrës që i dërguan:
»Mbretit Artakserks, shërbëtorët e tij, njerëzit nga Përtejlumi:
Tash, pra,
12 po njoftohet mbreti se judenjtë, që u nisën prej teje tek ne, arritën në Jerusalem, qytet kryengritës e tejet i mbrapshtë që po e ndërtojnë. Tashmë i kanë hedhur themelet dhe po i ndreqin muret. 13 Tashti le ta dijë mbreti: nëse ky qytet ndërtohet dhe nëse i përtërihen muret, nuk do të këtë tatime, nozullime, as doganë dhe në fund do të jetë në dëm të vishtarit mbretëror. 14 Pasi ne hamë kripën e pallatit mbretëror, e vlerësojmë si punë të pandershme të shikojmë se si i bëhet fyerje mbretit, prandaj edhe ia dërgojmë mbretit këto njoftime 15 që t’i shikosh librat e historive të etërve të tu dhe në ato histori do të gjesh e do të kuptosh se ky qytet është qytet kryengritës dhe shkak dëmesh për mbretërit e për krahinat dhe se në të që moti janë bërë kryengritje; këndej edhe qyteti ka qenë rrënuar. 16 Ne ia bëjmë të ditur mbretit se, në qoftë se ky qytet do të rindërtohet e nëse do t’i ripërtërihen muret, nuk do të kesh më prona Përtejlumit.«
17 Mbreti ia dërgoi këtë përgjigje qeveritarit Reum, sekretarit Samsaj dhe tjerëve që ishin në këshillin e tyre dhe banonin në Samari dhe në krahinën e Përtejlumit:
"Paqe!
Dokumenti tashti
18 që e dërguat tek ne, u lexua me kujdes para meje. 19 Unë dhashë urdhër qe të kërkohet dhe u gjet se ai qytet që prejkohëve të lashta ka bërë kryengritje kundër mbretërve dhe se janë bërë gërgyle e trazira në të. 20 Madje në Jerusalem ka pasur edhe mbretër të fuqishëm se kanë mbretëruar me mbarë krahinën që është Përtejlumit dhe se kanë marrë tatime, taksa e dogana. 21 Tani jepni urdhër që ata njerëz ta ndërpresin punën dhe të mos ndërtohet ai qytet deri sa unë të jap tjetër urdhër. 22 Ia vini mirë mendjen të mos jini në këtë gjë të pakujdesshëm që të mos rritet e keqja në dëm të mbretërve".
23 Pasi u lexua dysheritja e urdhëresës së mbretit Artakserks, para qeveritarit Reum, sekretarit Samsaj dhe këshilltarëve të tyre, ata me nxitim shkuan në Jerusalem te judenjtë dhe ua ndaluan punimet me forcë e me armë. 24 Kështu u ndërpre puna në ndërtimin e Shtëpisë së Zotit në Jerusalem dhe nuk u punua gjë deri në vitin e dytë të mbretërimit të Dariut, mbretit të Persisë.

Lexime: 17