Besëlidhja e Vjetër

Libri i Esdrës

7

II. ORGANIZIMI I BASHKËSISË NGA ANA E ESDRËS DHE NEHEMISË

Detyra dhe personaliteti i Esdrës

1 Pas këtyre ngjarjeve, nën sundimin e Artakserksit, mbretit të persianëve, Esdra, biri i Sarajës, të birit të Azarisë, të birit të Helcisë,
2 të birit të Selumit, të birit të Sadokut, të birit të Akitobit, 3 të birit të Amarisë, të birit të Azarisë, të birit të Marajotit, 4 të birit të Zarahisë, të birit të Oziut, të birit të Bokcit, 5 të birit të Abisuehit, të birit të Fineesit, të birit të Eleazarit, të birit të Aronit kryeprift: 6 ky, Esdra, u kthye nga Babiloni. Ishte skrib i aftë në Ligjin e Moisiut që e ka dhënë Zoti, Hyji i Izraelit, dhe, pasi dora e Zotit, Hyjit të tij, ishte mbi të, mbreti ia plotësoi të gjitha kërkesat e tija. 7 Në vitin e shtatë të sundimit të mbretit Artakserks, erdhi një grup izraelitësh, priftërinjsh, levitësh, këngëtarësh, derëtarësh e të dhuruarish në Jerusalem. 8 Erdhi në Jerusalem në të pestin muaj të të shtatit vit të mbretit. 9 U nis prej Babilonit të parën ditë të muajit të parë dhe arriti në Jerusalem në ditën e parë të muajit të pestë: dora bamirëse e Hyjit të tij ishte mbi të. 10 E njëmend Esdra ishte dhënë mend e zemër për ta shqyrtuar Ligjin e Zotit e për ta vënë në zbatim, për t’ua mësuar izraelitëve ligjet dhe rregulloret.

Dokumenti i Artakserksit

11 Kjo është dysheritja e dokumentit që mbreti Artakserks ia dha Esdrës prift, skribit të ditur në tekstin e urdhërimeve të Zotit e në ligjet e tija lidhur me Izraelin.
12 »Artakserksi, mbreti i mbretërve,
Esdrës prift, skribit të Ligjit të Hyjit të qiellit, shëndet!
13 Unë e kam dhënë këtë urdhër: Kushdo në mbretërinë time që është i popullit të Izraelit, priftërinj e levitë nëse dëshirojnë të shkojnë në Jerusalem, le të vijnë me ty. 14 Përveç kësaj ty të dërgon mbreti dhe shtatë këshilltarët e tij që ta mbikëqyrësh Judenë dhe Jerusalemin sipas Ligjit të Hyjit tënd, që e ke në dorë 15 dhe të çosh argjendin dhe arin që mbreti dhe këshilltarët e tij vullnetarisht ia kushtojnë Hyjit të Izraelit, që e ka selinë në Jerusalem, 16 si edhe krejt argjendin e arin që do ta mbledhësh në krahinën e Babilonit bashkë me kushtet e dhuruara vullnetarisht nga populli dhe priftërinjtë, për Shtëpinë e Hyjit tënd që është në Jerusalem.
17 Kështu, pra, me kujdes bli me këto para mëzetër, desh, qengja, fli kushtimore dhe njomje të nevojshme, dhe vendosi mbi lterin e Tempullit të Hyjit tënd, që është në Jerusalem. 18 Lidhur me argjendin dhe arin që do të teprojë, përdorojeni si të duket mirë ty dhe vëllezërve të tu, sipas vullnetit të Hyjit tuaj. 19 Po edhe enët që po të jepen për shërbesat e Shtëpisë së Hyjit tënd, vëri para Hyjit në Jerusalem. 20 Po edhe gjëra të tjera që duhen për Shtëpinë e Hyjit tënd dhe që ty të takon t’i blesh, të gjitha shpenzimet le të jepen prej vishtarit të mbretit. 21 Jam unë vetë, mbreti Artakserks, që ua jap këtë urdhër të gjithë arkëtarëve të Përtejlumit: çfarëdo që të kërkojë prifti Esdra, skribi i Ligjit të Hyjit të qiellit, t’ia jepni pa vonesë, më saktësisht 22 deri në njëqind talenta argjend, njëqind kora grurë, deri njëqind bata verë dhe deri njëqind bata vaj, ndërsa kripë sipas dëshirës. 23 Gjithçka të urdhërojë Hyji i qiellit le të zbatohet menjëherë në Shtëpinë e Hyjit të qiellit, që hidhërimi i tij të mos vijë rastësisht në mbretërinë tonë dhe kundër fëmijëve të tij. 24 Jua bëjmë po ashtu, me dije, se askush s’ka të drejtë t’u kërkojë tatime, taksa e dogana priftërinjve, levitëve, këngëtarëve, derëtarëve, të dhuruarve dhe shërbëstarëve të kësaj Shtëpie të Hyjit.
25 Kurse ti, Esdra, me mençurinë që ta ka dhënë Hyji i yt, caktoji zyrtarët dhe gjykatësit që ta udhëheqin mbarë popullin që ka mbetur Përtejlumin, d.t.th. të gjithë ata që e njohin Ligjin e Hyjit tënd. Atyre që nuk e njohin, e keni për detyrë t’ua mësoni. 26 Secilit që nuk do ta mbajë Ligjin e Hyjit tënd, pra pikërisht edhe ligjin e mbretit, le të dënohet ose me vdekje, ose me mërgim, ose me gjobë ose me burgim.«

Udhëtimi i Esdrës nga Babilonia në Palestinë

27 Qoftë bekuar Zoti, Hyji i etërve të mi, që e frymëzoi zemrën e mbretit për ta nderuar Shtëpinë e Zotit që është në Jerusalem,
28 i cili e ktheu kah unë përkrahjen e mbretit, të këshilltarëve të tij dhe të mbarë prijësve të tij të fuqishëm! Atëherë unë fitova forcë e guxim, sepse dora e Zotit, e Hyjit tim, ishte mbi mua dhe i bashkova disa krerë, prej Izraelit, të cilët erdhën me mua.

Lexime: 32