Besëlidhja e Vjetër

Libri i Esterës

Libri i Esterës


- PËR LIRINË E BESIMIT -


Emërtimi - Libri ka marrë emrin e heroinës për të cilën flitet.
Teksti Libri te ne ka arritur në dy versione: hebraisht dhe greqisht. Teksti hebraisht është, pothuajse, për dy të tretat më i shkurtër se ai greqisht. NV është përkthyer nga teksti hebraisht, i cili është plotësuar me tekstin greqisht dhe pjesërisht me Vetus Latina.
Përmbajta - Libri i Esterës, për nga përmbajtja, është i ngjashëm me Librin e Juditës. Edhe këtu një vajzë çifute, bonjake, nga familjet hebreje të humbura në mërgim, e rritur dhe e birësuar nga ungji Mardoke, arriti të bëhet mbretëreshë e Persisë, grua e Asuerit /Artakserksit I/ mbretit të Persisë. Kur mbreti, përmes kryeministrit të vet Amanit, dha urdhër të shfaroseshin çifutët në mbretërinë e tij, Estera, e nxitur nga ungji Mardoke, ia doli ta asgjësonte planin e Amanit, madje t’u ndodhte e kundërta armiqve të hebrenjve, dhe kështu të shpëtojnë nga bjerrja e lirisë fetare dhe nga zhdukja kombëtare.
Autori dhe data - Autori i këtij libri mbetet i panjohur. Duhet të ketë qenë një çifut nga Persia, të cilit i kishin rënë në dorë kujtimet e Mardokeut. Autori, ndërsa i përshkruan ngjarjet e kohës së sundimit persian /538 333/, shkruan edhe për bashkëkohësit e vet në kohën e Makabenjve.
Porosia - I tërë libri synon ta paraqesë ndihmën e vazhdueshme të Hyjit ndaj popullit të zgjedhur. Pra Hyji është ai që e shpëton popullin e vet, dhe theksohet se: kush ia ngre shokut kurthin, Zoti e bën që në të të bjerë vetë.
Vërejtje: Përveç tekstit hebraik, në të cilin për çudi nuk përmendet emri i Hyjit e kemi edhe tekstin greqisht, që është pranuar nga Kisha katolike si pjesë të frymëzuara, me çka teksti hebraik merr përfundim të kënaqshëm. Këto pjesë në përkthimin tonë janë të shënuara me shkronjat e alfabetit dhe të shkruara me shkronja të pjerrëta. Këto tekste e nënvizojnë me qartësi veprimin e Provanisë hyjnore.