Besëlidhja e Vjetër

Ezekieli

Profecia e Ezekielit


- Shpresa e madhe nën ndikimin e Hyjit -


Profeti - Ezekieli, biri i Buziut, prift, është një ndër të shpërngulurit me dhunë në Babiloni, në vitin 597 para Kr. . Jetoi në një bashkësi të shpërngulurish në brigjet e lumit Kobar. Thirrjen profetike e fitoi të pestin vit të shpërnguljes - d.m.th. në vitin 593 para Kr. . Veprimtaria e tij ndoshta mund të ndahet në dy periudha: nga viti 593 deri në rënien e Jerusalemit më 587. dhe, nga rënia e Jerusalemit deri në vitin 571., kur mendohet se profetizoi për herën e fundit /Ez 29, 17-20/. Mendohet se u vra nga një princ i Judës pse e kishte qortuar rëndë për idhujtari.
Është predikatar i fortë me fjalë të fuqishme që në mënyrë njerëzore u drejtohet njerëzve, por edhe gjeni i madh, i pasur në paraqitje e shumë herë i vështirë për t’u kuptuar me simbolizime të shkëlqyera. Është njeriu që i përjetoi momentet më të vështira të popullit të Izraelit e dëshmia e tij më së forti na e argumenton qëllimin e madh që Zoti e pat me popullin e zgjedhur për historinë e njerëzimit. Këndej, patjetër, është shkrimtar me aktualitet të veçantë.
Libri - Libri i Ezekielit është i planifikuar mirë dhe pa vështirësi hetohen këto pjesë:



  1. Hyrja /1 - 3/;

  2. Profecitë para rrethimit të Jerusalemit /4 - 24/;

  3. Profecitë kundër popujve të huaj /25 - 32/;

  4. Profecitë gjatë rrethimit dhe pas rrethimit të Jerusalemit /33 - 39/;

  5. Ligji tora e Ezekielit /40 - 48/.
    Megjithatë, shumë vende paralele, futje të reja e shtrirje që nuk janë të Ezekielit, tregojnë se edhe kjo vepër ka pasur zhvillimin e vet gradual, pak a shumë si edhe librat e tjerë të Shkrimit shenjtë. Edhe në të shihet se edhe nxënësit, nën ndikimin e fortë të personalitetit të mjeshtrit të vet, e kanë bërë punën e vet. Unitetin e tanishëm të librit e kemi me siguri nga redaktori i fundit.
    Porosia - Ndëshkimet, që Zoti i çon, janë rrjedhojë e mëkatit të popullit si komb dhe të personave. Populli i Judesë ka mëkatuar rëndë kundër Zotit, e Zoti, pse është i drejtë, duhet ta ndëshkojë: rrethimi i Jerusalemit dhe shpërngulja me dhunë do ta vërtetojë këtë gjë. Por, pasi populli ta ketë kuptuar, në fuqi të të vështirave që do t’i sprovojë, se Zoti është dhe që është i drejtë, do të vijë shpëtimi: riatdhesimi në Palestinën rrënjësisht të organizuar, në një Jerusalem plotësisht të përtëritur, në një Tempull të rindërtuar me një hyjshërbim hollësisht të përcaktuar. Me zemër të re, në Besëlidhjen e re, përsiatja ndrydhëse e të kaluarës është vetëm e përkohshme, mbi pamjen e një të ardhme më të lume që duhet ta vendosim e ta mbështetim ekzistencën tonë.
    Me shumë simbolizime e paraqet shpresën e madhe se pas të vështirave do të zbardhë dita e lume për Izraelin: do të jetë një popull i bashkuar, jo më i ndarë në dy mbretëri, do të ketë një Tempull të vetëm të ripërtëritur me një kult të përcaktuar hollësisht e jetë shoqërore të rregulluar mirë. Simbolika me eshtrat e ringjallur, ngjall shpresën e kthimit dhe të ripërtëritjes së Izraelit.
    Rëndësi ka të theksohet se tek Ezekieli, shumë më tepër se te librat e tjerë të BV është vënë në pah përgjegjësia vetiake - personale: »Kush të mëkatojë, ai vetë do të vdesë; djali s’do të përgjigjë për mëkatin e babës së vet, as baba s’do të përgjigjë për mëkatin e të birit. Drejtësia e të drejtit do të jetë mbi të drejtin e paudhësia e të paudhit do të jetë mbi të paudhin.« /Ez 18, 20/.