Besëlidhja e Vjetër

Fjalët e urta

Libri i Fjalëve të urta


- Rregullore e sjelljes së mirë e të urtë -


Përkatësia - Libri i Fjalëve të urta i përket kështu të quajturës Letërsi e urtisë dhe bën pjesë ndër librat e tjerë të BV të këtij grupi siç janë: Jobi, Predikatari, Kënga e Këngëve, Libri i Urtisë dhe Siraku. Sikurse Pesëlibërshi për autorësi i mbështetet Moisiut, po ashtu edhe librat e letërsisë së urtisë i mbështeten mbretit Salomon, birit të Davidit, megjithëse dihet se autor nuk mund të jetë Salomoni.
Libri i Fjalëve të urta - Quhet kështu sipas emëtimit të Vulgatës: »Liber Proverbiorum« që don të jetë përkthimi i emërtimit hebraisht: »Mëshalim«/shumësi i »Mashal« këndej edhe fjala Meselé, (që burimin duhet ta ketë këtu, që përafërsisht don të thotë po këtë gjë), që në të vërtetë don të thotë shumë më tepër se fjalët e urta, por pasi fjalët e urta kanë peshën më të madhe të librit, atëherë merret si: »Pjesa për tërësinë - Pars pro toto«, sepse në këtë libër kemi edhe poema me përmbajtje religjioze moralizuese,përqeshje, thënie në të cilat mbizotëron krahasimi, parime popullore etj. Po këtë emërtim e kanë edhe të Shtatëdhjetët: »Paroímia«.
Përmbajtja - Si libër që ka për synim të drejtojë përkah sjellja e mirë njeriun - individin, ka përfshirje shumë të gjerë sa edhe jeta e njeriut. Këndej merr parasysh: urtinë - marrëzinë, nderin - çnderimin, dashurinë - urrejtjen, hidhërimin - butësinë, kamjen - skamin, hitinë - përtacinë; marrëdhëniet e njeriut ndaj Zotit; prindërit - bami, miku - armiku etj.
Ndarja - Zakoniht libri ndahet në:



  1. 1, 1-7: Emërtimi.

  2. 1, 8-9, 18: hyrja: gjini letrare e përzier. Grishje të fitohet urtia - autori i panjohur.

  3. 10, 1-22, 16: rregulla për jetë: autor Salomoni;

  4. 22, 17-24, 34: detyrat ndaj të afërmit: autorë: Të urtët;

  5. 25 - 29: parime të ndryshme: autor Salomoni;

  6. 30, 1-14: urtia hyjnore: vogëlsia njerëzore: autor Aguri;

  7. 30, 15-33: thënie me numra, përmbajtja e ndryshme: autorët anonimë;

  8. 31, 1-9: udhëzime për mbretër, autor Lamueli;

  9. 31, 10-31: këngë alfabetike: lavdërim gruas së ndershme, autori i panjohur.
    Autori - Për autor të krejt librit tradita, siç e thamë edhe më lart, e mban Salomonin, birin e Davidit, mbretin e shquar të Izraelit për urti e pasuri. Por kjo i mbështetet po ashtu si edhe Pesëlibërshi Moisiut. Libri në vete shënon, përveç Salomonit, edhe »të urtët« edhe dy të tjerë: Agurin e Lamuelin. S'ka arsye të vihet në dyshim se do të ketë edhe pjesë të Salomonit, por duhet mbajtur si vepër që është krijuar gjatë shekujsh dhe që i kemi sot. Mbahet se kjo do të ketë ngjarë rreth shekullit të katërt para Krishtit, por ka edhe asish që e mbajnë të përmbledhur në shek. VI - V.
    Rëndësia - Në të vërtetë urtësia e Fjalëve të urta nuk mbetet vetëm në nivelin e dijes e të urtësisë njerëzore. Në tërësinë e librit përmbajtja merr një kuptim religjioz e moral shumë të thellë pasi kjo sjellje jetësore paraqitet si kërkesë e domosdoshme e besnikërisë ndaj Hyjit si »frikë e Zotit«, ku fjala »frikë« ka kuptimin e »frikës - druajtjes, të fesë, të përshpirtërisë, të nderimit, të dëgjesës e të dashurisë ndaj Hyjit«, prandaj kur thotë: »Frika e Zotit fillimi i urtisë« /1,7/, i përfshin të gjitha këto vështrime. Këndej edhe nuk duhen marrë porsi fjalë të urta thjeshtë njerëzore e të dijes së njeriut. S'ka dyshim se ka edhe gjëra që sot, pas ardhjes së Vetë Urtësisë - Birit të Zotit, na duken skorje, por megjithatë, libri është një gurrë vërtet autentike e urtisë. Kush e lexon me vëmendje dhe mundohet ta përvetësojë sheh sa i gjallë është problemi jetësor për njeriun që mendon.