Besëlidhja e Vjetër

Gjyqtarët

Libri i gjygjtarëve


- Një popull në formim -


Titulli


Librin në fjalë Bibla hebraike e quan Shofëtim, të LXX - tët e quajnë Kritai /greqisht/, Vulgata Iudices /latinisht/ e ne në përkthim po e quajmë »Gjyqtarët.«
Titulli i përgjigjet mjaft mirë brendisë së librit me kusht që fjalës të mos i jepet kuptimi i ngushtë ‘gjykatës’, por një vështrim shumë më i gjerë. Gjyqtarët këtu kanë kuptimin e personave që janë udhëheqës të pajisur me pushtet ushtarak e civil. Këta kanë edhe një veçori: janë njerëz posaçërisht të ngritur prej Zotit për të shpëtuar një fis a shumë fise të popullit të Izaelit, kur ky bie nën pushtimin e popujve idhujtarë fqinjë. Janë pra, çlirimtarë, heronj, të kohës ndërmjet Jozuehut dhe formimit të monarkisë izraelite.


Përmbajtja


Libri mund të ndahet:
a)në dy hyrje /1, -2, 5/, ku na paraqitet gjendja e Izraelit pas vdekjes së Jozuehut dhe /2, 6-3, 6/, ku na paraqitet gjendja fetare e Izraelit që gjendet gjithmonë në lëkundje: tash besnike e tash gjendje idhujtare.
b) Pjesa qendrore e librit /3, 7-16, 31/, ku flitet për Gjyqtarët - çlirimtarët, heronjtë, udhëheqësit e ngritur posaçërisht prej Zotit po për këtë qëllim. Ekzegjetët i ndajnë në gjashtë »të mëdhenj« e në gjashtë »të vegjël«, jo lidhur me rëndësinë e tyre më të madhe a më të vogël, por lidhur me njoftimet që na jep Libri për ta.
c) Dy shtojcat: e para /17 - 18/, ku flitet për idhujt e njëfarë Mike dhe migrimin e fisit të Danit; e dyta /19 - 21/, ku flitet për përdhunimin e një gruaje dhe shfarosjen e fisit të Beniaminit.
Autori - Tradita, qoftë ajo hebraike, qoftë edhe ajo e krishterë, Librin ia mbështet Samuelit. Në libër janë të gërshetuara tradita të ndryshme, të cilat duket se vetëm janë sistemuar sipas planit të përpiluesit deuteronomist, të paprekura ose fare pak të prekura për të treguar ciklin: pabesnikëria e rrjedhimi i saj: ndëshkimi; pendimi i izraelitëve - rrjedhimi i tij: Zoti dërgon çliruesin - gjyqtarin; pra: pabesnikëri - ndëshkim; pendim - çlirim.
Duke lexuar Librin duhet pasur para sysh, pra, se ato janë tradita shumë të vjetra, të zgjedhura sipas planit të hagiografit, që ka për qëllim të paraqesë jetën shumë të vështirë të izraelitëve para themelimit të një pushteti qendror të monarkisë. Kjo vështirësi ishte aq më e madhe për të ruajtur monoteizmin mes popujve idhujtarë më të fortë se izraelitët. Tregimet epike të këtyre heronjve na japin një dritë për t’i kujtuar vështirësitë e këtij populli për të mbetur gjallë. Këto kujtime të çliruesve, të treguara thjesht dhe me një shije të veten të posaçme të kohëve të lashta, synojnë të na japin një vështrim të thellë të historisë: vërtet në këtë popull që lufton për të qëndruar gjallë me ço e rrëzo të vazhdueshme, është piktura e jeta e njeriut që tani është besnik dhe pas pak bie në fund me sjelljet e me veprimet e veta morale. A nuk është kjo edhe për Kishën e Krishtit një pasqyrë? Mendoj për popullin e krishterë, që i kërcënuar prej mijëra e mijëra joshjesh të idhujtarive të ndryshme, bie e çohet orë e çast gjatë historisë. Por, edhe përmes sa e sa ngjarjeve të trishtueshme, që na i paraqet ky libër, vërteton thellë se »udhëheqësi« i fundit i mbarë historisë është Zoti.
Libri i mësonte izraelitët se ndëshkimi është rrjedhim i pabesnikërisë, kurse ngadhënjimi mbi armikun fryti i pendimit e i kthimit te Zoti. Kishtari i lëvdon Gjyqtarët për besnikërinë e tyre /Sir 46, 11 - 12/, kurse Letra drejtuar Hebrenjve na i parqet sukseset e tyre si shpërblim për fenë e tyre: këta janë ajo »re dëshmitarësh« që u jep zemër të krishterëve t’i ikin mëkatit e t’i mbartin me duresë vuajtjet /Hebr 11, 32 - 34; 12, 1/.