Besëlidhja e Vjetër

Profecia e Habakukut

Profecia e Habakukut


- Sy për sy me shtypjen -


Emërtimi - Libri quhet Profecia e Habakukut, sipas emrit të
profetit, profecitë e të cilit sjell.
Autori dhe koha e krijimit - Për autorin, pothuajse, s’dimë asgjë. Në vetë librin /1, 5-6/ mund të mësojmë se, përafërsisht, ka vepruar në kohën e rënies së pushtetit sirian e në fillimin e pushtetit neobabilonez. Nëse ky konstatim është i saktë, atëherë Habakuku vjen fill pas Nahumit, përafërisht pas luftës në Karkemish /602/ para Krishtit.
Ndarja - Libri zakonisht ndahet:



  1. Titulli 1, 1;

  2. Dialogu ndërmjet profetit e Hyjit 1, 2 - 2, 4;

  3. Mallkimet kundër shtypësit 2, 5 - 20;

  4. Lutje për ndërmjetësim hyjnor 3, 1- 19.
    Libri - Me gjithë mendimet e ndryshme ndër biblistë, duhet të mbahet se libri është vepër e një autori të vetëm. Një mendim e përcjell krejt librin dhe e lidh në një: Të fshehta janë udhët e Zotit.
    Nga përmbajtja mund të veçojmë se si profeti bashkëbisedon me Zotin, ku i paraqet se Judenë e ka mbuluar padrejtësia e Hyji i përgjigj se do të vijnë babilonezët - vegël e tij - e do t’i mbushin mend. Në pjesën e dytë profeti ankohet se babilonezët po e teprojnë e Hyji i përgjigj se do t’i shpëtojë ata që shpresën e kanë në të.
    Porosia - Habakukun e shkandullon sjellja e Zotit me popullin e vet. Pse Zoti lejon të pësojë populli i zgjedhur që, megjithëse nuk është plotësisht i drejtë, është më i drejtë se babilonezët. Ky mendim mundon edhe sot popuj të shumtë që pësojnë në skllavëri. Habakuku e zhvillon problemin në besim të thellë në Hyjin e në drejtësinë e tij se do t’i ndëshkojë shtypësit e do t’i çlirojë të nëpërkëmburit dhe i këndon Zotit himne si Madhërisë së vetme.