Besëlidhja e Vjetër

Libri i Isaisë

Libri i Isaisë


Profetët


Emërtimi - Fjala »profet« nga greqishtja »profetes« do të thotë atë që flet në emër të Hyjit dhe përkthen termin hebraik: »nabhì«. Këndej profet në vështrimin e parë të fjalës është »ai që flet në emër të Hyjit«, kurse në rendin e dytë është ai që parakallëzon, i shndritur prej Hyjit, »të ardhmen«. Në hebraisht ka edhe një term tjetër: »ro'eh« -vëgues, ai që sheh atë që Hyji ia mundëson ta shohë e që njerëzit e tjerë nuk mund ta shohin.
Profetë, pra, sipas mendimit të Biblës, janë njerëz veçanërisht të grishur prej Hyjit të flasin çka Hyji u thotë, të jenë zëdhënësit e tij, kasnecë, lajmëtar, kumtues të fjalës së tij. Profetët - Profeti i parë dhe më i madhi i BV është Moisiu / Krhs. Dalja 20, 19-21; Lp 5, 23-28; 34, 10-12. Sipas Lp 18, 18 ai është modeli i të gjithë profetëve. BR në të do të shohë prototipin e Jezusit profet/.
Por periudha e vërtetë e profetëve fillon me Samuelin /sh.XI. para Kr./ e vazhdon mrekullisht deri në shekullin V. para Kr. Prej disave nuk na shpëtuan shkrime /Elia, Elizeu/, kurse prej 16 i kemi shkrimet që mbajnë emrat e tyre.
Këta ndahen në »profetë të mëdhenj«4 /Isaia, Jeremia, Ezekieli dhe Danieli - Danielin Bibla hebraike nuk e rendit ndër profetë, dhe 12 »të vegjël« - quhen kështu për shkak të shkurtësisë të shkrimeve nën emrat e tyre. Janë: Oseja, Joeli, Amosi, Abdia, Jona, Mikeja, Nahumi, Habakuku, Sofonia, Agjeu, Zakaria e Malakia.
Këta njëherësh quhen edhe »profetë-shkrimtarë«, megjithëse nuk duhet marrë në kuptimin e sotëm të shkrimtarit gjoja se ata janë ulur e kanë shkruar librin që e mbart emrin e tyre; librat profetik e kanë historinë e shkrimit të vetë të veçantë, sepse zakonisht janë shkruar gjatë shekujsh nga nxënësit e tyre.
Profetizmi - Është dukuri e veçantë dhe ekskluzive e popullit hebre. Profetizmi e përcjell gjatë krejt historisë popullin hebre. Thirrja profetike varet vetëm e krejtësisht nga grishja e lirë e vullnetit të Hyjit, pa farë merite të të grishurit, pa marrë parasysh gjendjen shoqërore, kulturën, etj. Isaia ishte bujar, Jeremia e Ezekieli priftërinj, Samueli levit, Elizeu bujk, Amosi bari etj.
Profetët janë udhëheqës të teokracisë, rojëtarët e Besëlidhjes, ndërtuesit e të ardhmes. Të thellë në përsiatjen e të ë kaluarës, të rrënjosur në kuptimin e të tashmes, depërtues të shquar në synimet e planit hyjnor me njerëzimin, ia mbërrijnë të kenë fatin e zbulesës hyjnore për të udhëhequr njerëzimin udhës së sigurt të Hyjit. Në marrëdhëniet shoqërore kërkojnë drejtësinë midis njerëzve, vëllazërimin dhe barazinë. Si revolucionarë të vërtetë të mendimit njerëzor qortojnë e kërcënojnë pa dallim mbretër, priftërinj, pasanikë e skamnorë deri edhe mbarë popullin e njerëzimin kur s'ecin udhës së drejtësisë shoqërore.
Pyetja e madhe e ekzistencës së popullit hebre gjen përgjigjen e vet në lëvizjen profetike. Si ka mundur të qëndrojë ky popull midis një morie popujsh të mëdhenj e të vegjël në kazanin e valuar të popujve të Lindjes së Afërt? Pak mund të gjenden popuj që kanë rënë më poshtë se populli i Izraelit, të robëruar, të copëtuar, të deportuar, të skllavëruar nga popujt më të fortë e më të mëdhenj, ia kanë dalë të mbeten gjallë, madje të përtërijnë bashkësinë kombëtare, të krijojnë traditën e vet e të ndikojnë pozitivisht mbi mbarë historinë e mëvonshme. Si? Dhurata e Hyjit që janë profetët! Ata ia dolën t'i japin shpjegim historisë dhe ia arritën ta bindin popullin në këtë shpjegim. Kështu ia dolën ta ruajnë identitetin kombëtar dhe fetar. Mjafton të merret parasysh pushtimi asirian, pastaj ai babilonas, mërgimi dhe kthimi në grupe në Jude!
Autori -Isaia, biri i Amosit, duket se rjedh nga një familje bujarësh, nga Jerusalemi dhe mbahet se do të ketë lindur rreth viteve 768-765 pra Kr.. Thirrjet nga Hyji për profet në vitin 740 para Kr., në vitin e vdekjes së Ozisë /6, 1-13/. Veproi për një kohë të gjatë 40-50 vjet nën katër mbretër të Judës: Ozisë, Joatamit, Akazit, Ezekisë e ndoshta edhe të Manaseut. Gojëdhëna çifute mban se qe martirizuar nga Manaseu që e preu me sharrë.
Sidoqoftë për Isainë nuk dimë më asgjë pas vitit 700, para Kr..
Isaia është me siguri njëri ndër më të shquarit poetë të popullit të Izraelit dhe njeri thellësisht fetar. Madhësia e tij shihet lehtë kur dihet se ka pasur aq ndikim të madh sa që për tre shekuj vazhdon shkolla e tij e nxënësit e tij vazhdojnë të profetizojnë e të shkruajnë nën emrin e tij deri në të pestin shekull para Krishtit.
Libri i Isaisë - kulmi i profecisë së Izraelit përfshin tri pjesë të epokave, të frymëzimeve profetike e të autorëve të ndryshëm; a/ 1 - 39: Isaia /740-700/; b/ 40 - 55 Deutero - Isaia /550 - 539/; ç/ 56-66 Trito - Isaia /sh. V/. Pavarësisht nga tradita, qoftë hebreje, qoftë edhe e krishterë, sipas të cilës krejt Libri i Isaisë mbahej për vepër e Isaisë, kritika e biblistëve të dy shekujve të fundit mendon se vetëm pjesa e parë është vepër e Isaisë, kurse dy pjesët e tjera u përkasin autorëve të tjerë, të cilët sikush nga shkolla e Isaisë përfundimisht i ka rregulluar e lidhur në një. Megjithatë, duhet pasur parasysh se ka arsye të forta të cilat kanë ndikuar në Komisionin biblik papnor /28.VI.1908/ të kërkojë prej studiuesish të kenë kujdes në shqyrtimet e tyre që hipotezat të mos i marrin për teza, sepse, duke marrë parasysh periudhën e gjatë prej një gjysmë shekulli veprimi i Isaisë, ndryshimet stilistike, as fjalori as paraqitja, s'mund të mbeten të njënjëshëm.


Përmbajtja


    Pjesa e parë /1-39/ ndahet në: 1. Profecia kundër Judës e Izraelit para luftës siro-efraimite /1-5/;2. Libri mbi Emanuelin, ku gjenden fjalimet gjatë kohës së luftës siro-efraimite /6-12/;3. Profecia mbi popujt e huaj /13-23/;4. Apokalipsa e Isaisë /24-27/. Mbahet shtesë e nxënësve të tij; 5. Këngët mbi Samarinë e mbi Judenë kundër politikës së tyre e kundër popujve paganë /28-35/. 6. Të dhënat biografike të profetit /36-39/. Edhe kjo pjesë është shtojcë e nxënësve të tij.
Pjesa e dytë /40-55/ quhet Libri i ngushëllimit. Këtu kemi një pamje tjetër dhe një kohë tjetër. Jerusalemi është i rrënuar, populli i tretur në shpërngulje në Babiloni. Kur qe, ngjallet shpresa me paraqitjen e popullit persian, sidomos me mbretin Cir /Kir/ 539. para Kr. Në ngjarjet historike ai lexon synimet hyjnore që ka me popullin e vet. Në këtë pjesë janë katër këngët mbi Shërbëtorin e Zotit /42, 1-7; 49,1-9b; 50,4-11; 52,13-53,12/.
Këto janë katër poema lirike. Paraqesin një shërbëtor të Hyjit: të përsosur, që e bashkon popullin e vet dhe është dritë për mbarë popujt, predikon fenë e vërtetë që vjen prej Hyjit. Këto pjesë, megjithëse janë pjesët më të studiuarat, prapë s'kanë përkim as lidhur me prejardhjen e tyre as me përmbajtjen. BR sheh në to Jezusin prej Nazaretit, sepse Ai vet ia ka përshtatur vetvetes dhe misionit të vet shpërblimtarë /Lk 22,19-20.37; Mk 10,45/.
Edhe predikimi i krishterë i parë e ka parë në Të shërbëtorin shëlbimtar të njerëzimit të Deutero - Isaisë /Mt 12,17-21; Gjn 1,29/.
Pjesa e tretë /56-66/ që e quajnë Trito - Isaia - Isaia i Tretë, çmohet si vepër e një profeti tjetër. Mbahet për një përmbledhje të përbërë. Disa copëza patjetër flasin për izraelitët e kthyer në atdhe që mundohen të rindërtojnë Tempullin e të përtërijnë kultin në të. Redaktorët janë »deuteronomistë« pas mërgimit.