Besëlidhja e Vjetër

Jeremia

- Për të çrrënjosur e për të mbjellë -


Emërtimi i librit - Libri hebraisht quhet sipas fjalëve me të cilat fillon: »Fjalët e Jeremisë«, greqisht thjesht: »Jeremias«, kurse N. Vulgata e quan: »Libri i Jeremisë.«
Autori e koha e veprimit - Autor i librit mbahet Jeremia. Ai thotë për vete se rrjedh nga një familje priftërore e Anatotit, një vend i vogël në verilindje të Jerusalemit, larg tij kund 5, 5 km. Mendohet se duhet të jetë një nga pasardhësit e kryepriftit Abiatar, të cilin Salomoni e pat konfinuar në Anatot /1 Mbr 2, 26/. Lindi përafërsisht në gjysmën e dytë të shekullit VII para Kr.
Veproi në kohën e mbretit Jozi, Joakaz, Joakim, Joakin, Sedeci dhe të qeveritarit Godoli. Pas vdekjes së këtij të sprasmi përdhunë qe mbartur në Egjipt, ku parakallëzoi profecinë e fundit /k. 44/. Pas kësaj kohe s’dihet më gjë për të.
Veprimtaria e tij zgjati dyzet vjet, me vuajtje e mjerime shumë të mëdha. Me përjashtim të mbretit Jozi dhe të qeveritarit Godoli, që sundoi vetëm dy muaj, të gjithë të tjerët e përndoqën e nuk deshën ta dëgjojnë.
Pa me sytë e vet pushtimin e parë të vendit si dhe shpërnguljen e parë të popullit të Judesë. Përjetoi rrethimin e Jerusalemit, pushtimin dhe rrënimin e tij, djegien dhe shkatërrimin e Tempullit dhe deportimin e popullit në Babiloni nën tmerrin e Nabukodonozorit. Krejt jeta e tij mund të përmblidhet në »Ja, unë po i vë fjalët e mia në gojën tënde, ja, sot po të vë mbi popuj e mbretëri: që të çrrënjosësh e të rrënosh, të përndash e të shpërndash, të ndërtosh e të mbjellësh!« /1, 9 10/.
Libri - Libri i Jeremisë është libër përmbledhjesh profecish të thëna në raste të ndryshme e në kohë të ndryshme, pa marrë parasysh as rendin kronologjik të ngjarjeve as të profecive. S’është lehtë të bëhet një ndarje e përpiktë, sepse Libri nuk është redaktuar sistematikisht. Po ndjekim atë ndarje që është më e zakonshme ndër biblistët.
Titulli /1, 1-3/;
I. Profecitë kundër Judës /1, 4 - 25, 13/;
II. Profecitë kundër popujve paganë /25, 14 - 38; 46 - 51/;
III. Profecitë lidhur me shëlbimin /26 - 35/;
IV. Vuajtjet e Jeremisë /36 - 45/;
Shtojca /52/.
Nuk dimë se ç’kriter ka ndjekur Jeremia në përpilimin e librit të vet. S’ka dyshim se ai do të ketë pasur një rend të profecive të veta, kur ia bëri diktat sekretarit të vet besnik Barukut në vëllimin që e dogji mbreti Joakim /k. 36/, pa dyshim se libri, që përsëri ia bëri Profeti diktat Barukut, do t’i ketë shërbyer redaktorit ose redaktorëve në përmbledhjen e profecive të Profetit që kanë arritur deri tek ne. Mendohet se do të kenë ekzistuar dy redaktura, pasi teksti greqisht i të Shtatëdhjetëve nuk e ka atë renditje që e ka teksti hebraik. Vulgata ndjek tekstin hebraik.
Jeremia nuk lartësohet poetikisht si Isaia ose ndonjë profet tjetër, por ai ndriçon me thjeshtësi, spontanitet dhe është shumë natyror saqë mund të bëhet model i tregimit të çdo literature. Është profet i zemrës dhe, me jetën e vet, siç qe shembëlltyrë e gjallë e Krishtit pësues, paraqet në vetvete të gjitha vuajtjet dhe shpresat e popullit të zgjedhur.
Teksti që ka arritur deri tek ne duket se rrjedhë nga periudha e shpërnguljes. Mendojmë se profecitë e Jeremisë kanë qenë lexuar e rilexuar e medituar nga të shpërngulurit në dheun e huaj. Me vuajtjet e mëdha dhe me shpresën e madhe se do të vijë dita e shpëtimit dhe e lirisë, Jeremia mbetet edhe sot e kësaj dite dëshmitar ngushëllues dhe frymëzues, qoftë i individit që pëson padrejtësi, qoftë edhe i popujve të skllavëruar në mënyrë të ndryshme, por sidomos kur »gjyq është martina.«