Besëlidhja e Vjetër

Jona

Profecia e Jonës


Për besimin nuk ka kufij


Emërtimi - Libri quhet Profecia e Jonës, sipas emrit të personit kryesor të tregimit. Jona d.m.th. Pëllumb. Shkrimi shenjtë librin e rendit ndër Dymbëdhjetë profetët e vegjël, megjithëse nuk është libër vërtet profetik.
Autori dhe koha e krijimit - Autori mbetet i panjohur, por duhet të ketë qenë judeas. Koha e krijimit është shumë e diskutuar ndër biblistë, por mendohet se është krijuar diku në kohën pas kthimit nga shpërngulja.
Ndarja dhe përmbajtja - Libri zakonisht ndahet në dy pjesë:
I. kk 1-2. Në këtë pjesë flitet se si Jona qe dërguar prej Zotit të predikojë në qytetin e madh Ninivë të Asirisë. Jona, pse s’dëshiron të kthehet populli armik i Izraelit, s’dëgjon e hyn në barkë për të ikur larg Zotit në brigjet e Spanjës, në Tarsis. Çohet në det furtunë e madhe e, pasi u tregon detarëve se ai është shkaktari i stuhisë, kërkon të hidhet në det, ku e përpin një peshk i madh. Peshku, pas tri ditësh, e qet në breg.
II. kk. 3-4. Zoti i urdhëron përsëri Jonës të shkojë të predikojë në Ninivë dhe Jona dëgjon. Mbret e popull bëjnë pendesë dhe kthehen e Jona hidhërohet. Prapëseprapë Jona ngul në shkretëtirë për të parë se si do të shkatërrohet Niniva /mendon se Zoti do të ndërrojë mendim e do ta shpartallojë Ninivën/, por aty, me tharjen e urthit, Zoti i jep mësimin e zemërdhimbësisë së vet.
Gjinia letrare - Libri i Jonës është shkrim didaktiko-satirik me qëllim që të mësojë popullin e Izraelit se Hyji është Hyji i të gjithë njerëzve dhe se të gjithë njerëzit i përkasin atij. Këtu mund të shtrohet pyetja: a ka ekzistuar Jona? Në të vërtetë Jona ka ekzistuar: Jona, biri i Amatit /Krhs. 2 Mbr 14, 25/, por ky duket se është vetëm emërhuazues. Jona i tregimit ka ekzistuar sikurse ka ekzistuar babai; i zemërdhimbshëm e djali plangprishës /Lk 15, 11 32/, ose si vreshtarët vrastarë /Mt 21, 33 41/ ose pasaniku gopçar e Lazri i vobektë /Lk 16, 19-31/, pra në mënyrë personi të shëmbëlltyrës parabollës. Vihet ndër profetë, sepse jep vështrimin e kërcënimeve të profetëve kundër popujve paganë se: Zoti është i mëshirshëm për të gjithë njerëzit e të gjithë popujt dhe thekson se besimi s’ka kufij.
Tregimi mësimdhënës i Jonës është krejt afër me BR: Hyji nuk është vetëm Hyji i çifutëve, por edhe i paganëve, sepse s’ka pos një Hyj të vetëm /Krhs. Rom 3, 29. etj. /.
Pra, edhe paraqitjet e ngjarjeve të mrekullueshme, pak a shumë të fantazisë për mësim në mënyrën e popullit të thjeshtë janë ilustrim i mësimit kryesor. Shkrimi është shumë interesant për kuptimin e misionit të popullit izraelit si misionar për popujt e tjerë, sidomos të rrethinës, që do të marrë hov të jashtëzakonshëm me misionarin e madh Palin e Tarsit.