Besëlidhja e Vjetër

Kantiku i Kantikëve

Kënga e këngëve


- Kënga më e bukur e dashurisë -


Emërtimi - Libri hebraisht titullohet: »Shir hashirim« që përkthehet: »Kënga e këngëve«, superlativ me anë të substantivit që vjen mjaft shpesh në Bibël si: »Qielli i qiejve - më i larti qiell, Shenjtërorja e shenjtëroreve - më e shenjta shenjtërore, Mbreti i mbretërve - më i madhi mbret, etj.« Këtë mënyrë të supërlativit që vjen mjaft shpesh në Bibël si: »Qielli i qiejve - më i larti qiell, Shenjtërorja e shenjtëroreve - m[ e shenjta shenjtërore, Mbreti i mbretërve - më i madhi mbret, etj.« Këtë mënyrë superlativi e kemi edhe shqip: Trimi i trimave, Trim mbitrima /te Gjergj Elez Alia/, burri i burrave, etj. Këtu, pra, Kënga e këngëve, do të thotë: Më e bukura këngë.
Përmbajtja dhe ndarja -Tema që libri rreh është sa e thjeshtë aq edhe e rëndomtë: dashuria e të fejuarit dhe e të fejuarës. Trajta është herë monolog, herë dialog, shumë e ngjashme me dramën, poezi lirike. Si ndarje po marrim atë që ka BJ, megjithëse ndarja mbetet gjithnjë subjektive.
Titulli dhe hyrja: 1, 1-4
Poema I: 1,5 - 2,7;
Poema II: 2,8 - 3,5;
Poema III: 3,6 - 5,1;
Poema IV: 5,2 - 6,3;
Poema V: 6,4 - 8,4;
Përfundimi: 8,5 - 7;
Shtojcat: 8,8 - 14.
Përkah përmbajtja shihet pa farë vështirësie se është poezi dashurie, por kur duhet përcaktuar se për të cilën dashuri është fjala, mendimet janë shumë të ndara. Deri në shekullin XVIII mendimet e biblistëve kanë qenë në përkim: flitet për dashurinë e Hyjit ndaj popullit të zgjedhur ose, marrë në lidhje me BR - për dashurinë e Krishtit ndaj Kishës, të Shpirtit shenjt ndaj shën Marisë Virgjër, të Hyjit ndaj Njerëzimit ose të Hyjit ndaj individit. Kjo ngjau sepse në tërë Biblën dashuria e Hyjit ndaj popullit të zgjedhur simbolizohet me dashurinë e pastër të të fejuarve ose të bashkëshortëve. Në këtë mënyrë paraqitet shumë shpesh ndër profetët.
Por, pas shekullit të XVIII gjithnjë e më tepër vihet në pah dashuria e të fejuarve. Bibla pa dyshim e thekson shumë dashurinë e të fejuarve e të bashkëshortëve. Këtë dashuri e bën shumë më të qartë Kk.


    Specialistët biblikë katolikë parashtrojnë tri mënyra kryesore të shtjellimit të Kk.
a/ shtjellimin alegorik - vepra është alegori që madhëron dashurinë e madhe të Hyjit ndaj popullit të zgjedhur;
b/ shtjellimi letrar - vepra madhëron dashurinë njerëzore, të cilën e ka dashur vetë Krijuesi që edhe Ai vetë është DASHURI;
c/ shtjellimi teologjik - Kk është lavdërim i dashurisë njerëzore që shkrimtari i shenjtë i frymëzuar nga Hyji, nën ndikimin e dashurisë bashkëshortore të marrë nga simbolika e profetëve, e ka nënkuptuar në perspektivë dashurinë hyjnore.

Ndarja dhe titujt, megjithëse do të donim të mbetemi të paanshëm në përcaktimin e kësaj apo asaj mënyre shtjellimi , nuk na lë krejtësisht të paanshëm, por duhet pasur parasysh se ndarja, titujt e nëntitujt as që ekzistojnë në origjinal , por janë pjesë subjektive që ndryshon nga një përkthyes në tjetrin. Na pëlqen të mendojmë se këngët kanë qenë hartuar për të madhëruar dashurinë e pastër të të fejuarve, të bashkëshortëve e kjo mandej ka fituar kuptimin edhe më të lartë të dashurisë së Hyjit ndaj popullit të Besëlidhjes për ta ruajtur nga idhujtaria.

Koha e krijimit dhe autori -Megjithëse në libër pohohet së është kënga e Salomonit, të gjithë pohojnë se autori është i panjohur e fshihet nën pseudonim si të ishte Salomoni.
Dihet se kjo është fiksion letrar, sepse vetë fjalori me shumë aramaizme e me fjalë persiane na siguron se duhet të jetë krijuar shumë kohë pas Salomonit. Mendohet se koha e krijimit duhet vënë në shek. V ose në gjysmën e parë të Shek. IV. Kjo s'do të thotë se ndonjë pjesë s'ka qenë krijuar edhe më herët, madje mund të jetë ndonjë edhe e vetë Salomonit, por redaktori i kësaj kohe i ka rregulluar dhe ua ka dhënë trajtën përfundimtare. Vendi i krijimit duhet të ketë qenë Palestina.

Rëndësia e Këngës së këngëve - Kk duke kënduar dashurinë e parezervë të të fejuarve, të një çifti, pra të unitetit të martesës - të një mashkulli e të një femre, të themeluar në zgjedhjen plotësisht të lirë - pa ndërmjetës të prindërve as të tjetërkujt, i ka sjellë një dritë të re njerëzimit të atëhershëm, kur martesa ka pasur luhatje të tmerrshme e kur monogamia ishte diçka që e zbatonin vetëm të varfëritë. Por edhe sot, kur dashuria e vërtetë po pëson kriza të thella, madje edhe në vetë martesën me sa e sa shpërdorime, në Kk njerëzimi i gjen dritë të shkëlqyer për dashurinë besnike.
Mandej, megjithëse Kk mbetet burim i pashtershëm i dashurisë fisnike bashkëshortore, ajo na lartëson edhe shumë më lart në dashurinë e Krijuesit e të krijesave. Dashuria bashkëshortore me besnikërinë e patradhti, na ngrit në dashurinë e Zemrës Hyjnore. »Hyji është dashuri« /1 Gjn 4,8/ e çdo dashuri burimin e ka në Hyjin nëpër Birin e tij, Jezu Krishtin. Këndej Pali mundi të theksojë: »Burra, duani gratë tuaja, sikurse Krishti e ka dashur Kishën e vet« /Ef 5,25/. Kishë mund të kuptohet çdo anëtar i saj, çdo individ. Mistikët e kanë kuptuar dhe kjo zbulesë ka pasur për jetën e tyre vendim të pashmangshëm të shenjtërimit.