Besëlidhja e Vjetër

Libri i Daljes

Emërtimi - Librin e dytë të Pesëlibërshit - Pentateukut e emërtojmë: Dalja e duhet të jetë përkthim i emërtimit LXX - Exodos, të cilin e morën latinët e gati pothuaj të gjitha përkthimet. Hebraisht quhen, si rëndom, të gjithë librat e tjerë me fjalët e para: We’élleh šemôt: Dhe këta janë emrat.
Përmbajtja e ndarja - Dalja quhet shpeshherë edhe ‘Ungjilli i Besëlidhjes së Vjetër’, sepse kumton ‘Lajmin e gëzueshëm’ të ndërhyrjes hyjnore në ekzistencën e një grupi njerëzish /4, 31/ për t’i bërë të lindin për liri e për t’i bashkuar në një popull të shenjtë /19, 4-6/.
Flet për ngjarjen e çlirimit të izraelitëve nga skllavëria egjiptiane, për të dalë nga ajo dhe për të trajtuar gjatë udhëtimit nëpër shkretëtirë për dyzet vjet si përgatitje në formim të fiseve në popull si dhe për Besëlidhjen në malin e Sinait. Këndej e ndajmë në tri pjesë kryesore:
1) Dalja nga skllavëria /1, 1 - 15, 21/;
2) Udhëtimi nëpër shkretëtirë /15, 22 - 18, 27/;
3) Besëlidhja në malin Sinai /19 - 40/.
Trajta letrare - Dalja u quajt me të drejtë një epope religjioze në themel historike. D1 përmban ngjarje historike që janë themeli i besimit të izraelitëve, por që shpeshherë zbukurohen me një ton epik e me zmadhime. Kjo mënyrë paraqitjeje shërbente për një qëllim të dyfishtë: dhënia e madhërisë dhe e lavdërimit Hyjit të Izraelit dhe vënia në pah e gjendjes së veçantë të popullit të Izraelit, popullit të zgjedhur në fuqi të pëlqimit të vullnetit të lirë të Hyjit.
Përpunimi - Siç u tha në hyrjen e Pesëlibërshit shihet qartë në këtë libër gërshetimi i gojëdhënave të ndryshme që specialistët i quajtën: Jahviste, Elohiste, Priftërore. Aty këtu gjendet ndonjë e përkitur e të dhënave të gojëdhënës Deutoronomiste.
Pa hyrë në çështjen e diskutueshme të kohës së ngjarjeve që paraqiten jemi të mendimit se duhet të kenë ndodhur në shekullin XV para Kr., kurse trajta e këtij libri që ka arritur te ne, sipas të gjitha gjasave, duhet të jetë e shekullit V para Kr.
Në mbarë librin mbizotëron figura e Moisiut. I zgjedhur prej Hyjit për ndërmjetës mes Hyjit e popullit, i pajisur me cilësi në shkallën më të lartë për aftësi udhëheqësie, është me siguri figura historike veçanërisht e rëndësishme e popujve të lashtësisë. Por jo vetëm për lashtësinë e hershme, por s’ka dyshim se edhe për historinë e njerëzimit, është dhe mbetet njeriu që, për nga organizimi, e kjo në mënyrë të veçantë shpirtërore, është figura që s’ka qenë tejkaluar prej ndonjë njeriu tjetër. Është ati i judaizmit, vetë Mesia - Jezu Krishti me kristianizëm e përsosi, kurse edhe për besimin e tretë monoteist botëror - islamizmin, është gurrë nga plotësisht varet dhe mbetet nën ndikimin e pamohueshëm më të madhin.
Ai në malin Sinai merr zbulesën hyjnore, dëgjon emrin e shenjtë të Hyjit dhe lidh Besëlidhjen në një teofani jashtëzakonisht të mrekullueshme.