Besëlidhja e Vjetër

Libri i Levitikut

Libri i Levetikut


Formimi i një populli të shenjtë


Titulli


Libri i tretë i Pesëlibërshit të Moisiut ose i Tora-s, Ligjit, quhet Levitik. Emërtimi i vjen prej përkthyesve në greqisht të të Shtatëdhjetëve, të cilët e quajtën Leueitikon ose Leuitikon /Biblion/. Këtë emërtim e përvetësoi edhe Vulgata dhe u bë i rëndomtë, pothuajse, në të gjitha gjuhët, në përkthimet e mëvonshme, e do të thotë Libri i Levitëve, i pjesëtarëve të fisit të Levit, të cilët me trashëgim bëheshin pjesëtarë të priftërisë në Izrael. Bibla hebraishte e emërton me fjalët e para të librit: »Wayyiqrâ« E /Zoti/ thirri.


Përmbajtja


Temat kryesore që rrahen në libër janë: kulti ritual që populli duhet t'ia bëjë Hyjit dhe ligjet përkatëse lidhur me pastrinë ligjore, rituale që populli të jetë i shenjtë në praninë e Hyjit të shenjtë.
Këto mund të paraqiten kështu:



  1. Në shtatë kapitujt e parë /1-7/ flitet në hollësi për flitë që izraelitët duhet t'ia paraqesin Zotit;

  2. Në kapitujt 8-9 flitet për shugurimin e Aronit e bijve të tij si dhe për hyrjen e tyre zyrtarisht në shërbesën priftërore, kurse në kapitullin 10 flitet për detyrat e priftërinjve.

  3. Në kapitujt 11-15 flitet për pastrinë e për papastrinë ligjore - rituale si dhe për kuptimin e së »shenjtes« dhe të »profanes« dhe rregullat si mund të rifitohet »pastria rituale«.

  4. Në kap. 16 shtjellohen sjelljet për » ditën e madhe të shpërblimit«.

  5. Në kap. 17-26 jepet një përmbledhje ligjesh që zakonisht quhet »Kodi i shenjtërisë«. Kurse në kap. 27 flitet për kushte dhe për të dhjeta.
    Dihet se Levitiku nuk është një kod organik dhe sistematik i çështjeve që rreh, por është më tepër një renditje e përmbledhjeve të ndryshme të ligjeve të ndryshme e të pjesshme.
    Renditjen fundit Levitiku e përjeton pas shpërnguljes dhe plotëson nevojat e Tempullit të Dytë.
    Libri është fryt i traditës priftërore.
    Levitiku u duk tepër vonë për të bërë një ndikim të madh në librat e tjerë të Biblës.
    Pastaj, sa për libra të BR, gjithashtu mund të thuhet se për shkak të rregulloreve të kalueshme të flive që ishin vetëm shenjë e flisë së Krishtit e që u përkryen me vdekjen e Jezu Krishtit dhe e humbën, prandaj rëndësinë e tyre, sigurisht që nuk ka ndikuar as ndër ta.
    Megjithatë, ndikimi indirekt është shumë i madh e arsyeja qëndron në atë që njerëzit kanë nevojë ta shprehin kultin ndaj Hyjit edhe në mënyrën e jashtme. Por, pa Levitikun do të na mungonin shumë elemente për të kuptuar se si shën Pali dhe sidomos Letra drejtuar Hebrenjve e kanë shtjelluar teologjikisht vdekjen e Krishtit.