Besëlidhja e Vjetër

Libri i Ligjit të Përtrirë

Libri i Ligjit të përtërirë


Titulli


Emërtimi i të pestit libër të Pesëlibërshit të Moisiut, që ne po e marrim në shqyrtim, vjen nga përkthimi greqisht i Shtatëdhjetëve, të cilët u quajtën: Deuteronomion - Ligji i dytë. E parapëlqyem titullimin me: Ligji i përtërirë me shtjellime, me shpjegime. Edhe pse përkthyesit grekë e përkthyen gabimisht 17, 18: »mišneh hat - torãh« - përsëritje e ligjit, pra, kopje, përsëdytje e ligjit, emërtimi » Ligji i dytë«, megjithatë mjaft mirë e pasqyron librin për nga përmbajtja. Hebrenjtë, sipas dokes së tyre, e quajnë me fjalët e para të librit: »Elleh had-debharîm« »Ja fjalët« ose edhe vetëm »Debharîm - Fjalët.«


 ### Trajta dhe përmbajtja e librit
Për nga trajta libri është një shtjellim i ngrohtë i Ligjit me anë të gjinisë letrare të fjalimit. Lënda për të cilën flet, ndahet në gjashtë pjesë të shtjelluara përmes katër fjalimeve të Moisiut që i mban në rrafshin e Moabit, në bregun e Jordanit, kundruall Jerikut. Fjalimet ndërpriten me kodin e Ligjit të përtërirë dhe me tregimin e ditëve të fundit të jetës së Moisiut dhe të vdekjes së tij.
1. Fjalimi i parë i Moisiut: 1,6 - 4,40. a/1,6 - 3,29: pjessa historike e ngjarjeve prej çojës së Sinait deri me ardhjen në Moab; b/ 4,1 - 40 pjesa e fjalimit të Moisiut që nxit të zbatohet ligji.
2. Dekalogu, besnikëria ndaj Zotit, urdhri për zhbimjen e kananenjve, falënderje nxit të zbatohet ligji.
3. Kodi deuteronomik: 12, - 26, Është pjesa thelbësore e librit që sjell **ripërtëritjen** e ligjit: Ligje besimi, autoriteti, ndaj të afërmit, frytet e para e të dhjetat dhe përfundimi i qortimit. /Fjalimi i dytë i Moisiut/.
4. Fjalimi i tretë i Moisiut: udhëzime lidhur me Rrasat e Ligjit me mallkime kundër atyre që e shkelin Ligjin; bekimet dhe mallkimet dhe përfundimi i fjalimit.
5. Fjalimi i katërt i Moisiut: përtërihet qortimi për ta mbajtur Ligjin me përkujtim të së kaluarës, me premtime e kërcënime.
6. Ditët e fundit të Moisiut: zgjedhja e Jozuehut për pasardhës /31/, kënga e Moisiut /32/, bekimi i dymbëdhjetë fiseve /33/ dhe vdekja e gjema e Moisiut /34/,
Palca e Ligjit të përtërirë është dashuria e lirë e Zotit ndaj popullit të zgjedhur. Izraeli, nëse do ta gëzojë Tokën e premtuar, duhet ta pranojë Zotin për Hyj të vetin duke përjashtuar plotësisht të gjitha hyjnitë e paganëve: pabesnikëria ndaj Zotit do të ndëshkohet pa mëshirë.
Ligji i përtërirë mund të quhet Libri i Besëlidhjes për veçanti. Besëlidhja është një dhuratë dhe një kërkesë e jetës.
E denjë për t'u vënë re është dashuria ndaj të afërmit me mëshirë e dhembshuri ndaj të mjerëve. L. i përtërirë ka faqe me të cilat, me tepër se çdo libër tjetër i BV, i afrohet lartësisë hyjnore të Ungjillit. Prej syrit depërtues të Moisiut vërehet Mesia si profeti i Madh e i fundit /18, 15-19/.
Një pamje teologjike dhe një pritje e fortë e bëjnë L.p. një kryevepër të letërsisë së vjetër. Por besimtari mund të lexojë në të jetën e vet me ato ngritje e rënie shpirtërore që i sprovon gjithkush, po në të mund të gjejë gjithmonë nxitjen e fortë për ngritje: Sepse »Fjala është krejt afër teje, në gojën tënde, mu në zemrën tënde që ta zbatosh.« /31, 14/