Besëlidhja e Vjetër

Libri i Numrave

10

Trumbetat

1 Zoti foli me Moisiun e tha:
2 »Urdhëro të të punohen dy trumbeta prej argjendi të farkuar. Ato do të shërbejnë për të grishur bashkësinë e për të bërë çojën e tëbanishtës. 3 Kur t’i biesh të dyjave, le të bashkohet te ti mbarë bashkësia para derës së Banesës së takimit. 4 Nëse do t’i biesh njërës, le të mblidhen te ti prijësit dhe krerët e bashkësisë së Izraelit. 5 Por nëse trumbetimi bëhet më i gjatë dhe përcillet me brohoritje, le të çojnë prej tëbanishtës të parët ata që janë në anën e lindjes. 6 Në trumbetimin e dytë po ashtu të përcjellë me brohoritje lufte, le të çojnë prej tëbanishtës ata që kanë ngulur në anën e mesditës: le të përcillet trumbetimi me brohoritje lufte që ata të nisen për rrugë. 7 Kur të duhet të mblidhet populli, trumbetimi të jetë i thjeshtë, pa brohoritje.
8 Trumbetave le t’i bien priftërinjtë, bijtë e Aronit. Kjo le të jetë rregullore e përhershme në breznitë tuaja.
9 Nëse do të dilni në luftë në tokën tuaj kundër armikut që lufton kundër jush bini trumbetave me brohoritje; kjo do t’ju përkujtojë para Zotit Hyjit tuaj që t’ju shpëtojë prej duarve të armiqve tuaj.
10 Po edhe kur të keni ditë gëzimi, të kremte, hënën e re bini trumbetave për t’i përcjellë flitë e shkrumbimit, flitë e pajtimit, që t’ju kujtojnë para Hyjit tuaj. Unë jamë Zoti, Hyji juaj.«

Urdhri i çojës

11 Të dytin vit, në të dytin muaj, të njëzetën ditë të muajit, u ngrit reja prej Banesës së Dëshmisë.
12 Bijtë e Izraelit u nisën prej shkretëtirës së Sinait sipas rendit të çojës së tyre. Dhe reja zuri vend në shkretëtirën e Faranit. 13 Kështu në urdhrin e Zotit të dhënë me anën e Moisiut, izraelitët çuan nga tëbanishta për herë të parë. 14 U ngrit i pari flamuri i llogorit të bijve të Judës, sipas togave të veta. Prijësi i tyre ishte Nahasoni i Aminadabit. 15 Në krye të togave të bijve të Isaharit ishte prijës Natanaeli i Suarit.
16 Në krye të togave të bijve të fisit të Zabulonit ishte prijës Eliabi i Helonit.
17 Qe shkrehur edhe Banesa dhe dolën për ta mbartur bijtë e Gersonit dhe të Merariut. 18 U nis edhe flamuri i tëbanishtës së bijve të Rubenit sipas togave të veta dhe në krye të njësisë ishte prijës Elisuri i Sedeurit. 19 Në krye të togave të bijve të Simonit ishte prijës Salamieli i Surisadait.
20 Kurse në krye të togave të fisit të Gadit, ishte prijës Eliasafi i Deuelit.
21 U nisën edhe Kaatajt duke mbartur Shenjtëroren. Levitët e tjerë e ngrehën Banesën para se këta të arrinin. 22 U ngrit edhe flamuri i tëbanishtës së bijve të Efraimit sipas togave të tyre. Në krye të ushtrisë së tyre ishte prijës Elisamai i Amiudit. 23 Në krye të togave të fisit të bijve të Manaseut ishte prijës Gamalieli i Fadasurit.
24 Në krye të njësive të fisit të bijve të Beniaminit ishte prijës Abidani i Gjedeonit. 25 Më së fundi u ngrit flamuri i tëbanishtës së bijve të Danit sipas togave të saja. Në ushtrinë e tyre ishte prijës Ahiezeri i Amisadait. 26 Në krye të njësisë së fisit të bijve të Aserit ishte prijës Fegieli i Okranit.
27 Në krye të njësisë së fisit të bijve të Neftaliut ishte prijës Ahirai i Enanit.
28 Ky është rendi i udhëtimit të bijve të Izraelit sipas njësive të tyre kur bënin çojën.

Parashtrimi i Moisiut Hobabit

29 Moisiu i tha Hobabit, birit të vjehrrit të vet, të Raguelit prej Madianit: »Ne po nisemi për vendin që Zoti do të na e japë. Eja me ne e do të bëjmë pjesëtar të të mirave që Zoti ia ka premtuar Izraelit.«
30 Por ai i përgjigji: »Nuk po vij me ty, por do të kthehem në vendin tim ku kam lindur.« 31 Moisiu shtoi: »Mos na lër, sepse ti di në cilat vende nëpër shkretëtirë na duhet të ngulim tëbanishtën e do të na gjendesh në ndihmë si prijës.
32 Nëse vjen me ne, ç’të jetë më e mirë ndër ato që Zoti do të na i japë neve, do të bëjmë pjesëtar edhe ty.«

Çoja

33 Kështu u nisën prej malit të Zotit dhe bënë tri ditë udhë. Arka e besëlidhjes udhëtonte para tyre për tri ditë për t’u gjetur vendin e tëbanishtimit.
34 Edhe reja e Zotit ishte përmbi ta gjatë ditës ndërsa po bënin udhë.
35 Kur nisej Arka, Moisiu thoshte:
»Ngritu, o Zot,
e le të shpërndahen armiqtë e tu!
Le të vihen në të ikur ata që të urrejnë ty!«
36 Ndërsa kur ajo ndalej, thoshte:
»Kthehu, o Zot,
në mes të ushtrisë së panumërt të Izraelit!«

Lexime: 24