Besëlidhja e Vjetër

Libri i Numrave

11

V. VENDNDALIMET NË SHKRETËTIRË

Tabera

1 Populli filloi të ankohet kundër Zotit gjoja se po hiqte shumë keq. Kur Zoti dëgjoi për këtë, u ndez hidhërimi i tij dhe mori zjarr e e përpiu një pjesë të tëbanishtës.
2 Populli i ra ndore Moisiut, Moisiu iu lut Zotit dhe zjarri u ndal.
3 Atë vend e quajtën Tabera, sepse zjarri i Zotit, në atë vend, mori flakë kundër tyre.

Populli qahet për shkak të manës

4 Gjinden e huaj, që u ishte mbështetur atyre, e kapi dëshira e grykësisë dhe bashkë me ta u ulën edhe bijtë e Izraelit e të filluan të ankohen: »Kush do të na ngijë me mish?
5 Na bie në mend peshku që e hanim falas në Egjipt. Na bien në mend trangujt, shalqiri, purrinjtë, qepët dhe hudhrat!
6 Tani na u tha fyti: sytë tanë nuk shohin tjetër përveç manës!« 7 Tashti mana ishte në gjasim të kokrrës së koriandrit në të shikuar si bdeli. 8 Populli shkonte përreth për ta mbledhur e pastaj ose e bluante në mokër ose e shtypte në shtypëse. E ziente në kusi e pastaj e bënte kuleç; e kishte shijen si kulaçi i përgatitur në vaj.
9 Natën kur në fushim binte vesë, binte gjithashtu edhe mana.

Ndërmjetësimi i Moisiut

10 Moisiu e dëgjoi popullin se si ankohej, secili në familjen e vet, në hyrje të çadrës së vet. Felgrimi i Zotit u ndez flakë. Po edhe Moisiut iu duk punë e padurueshme
11 e i tha Zotit: »Pse e mundon shërbëtorin tënd? Pse nuk gjeta hir para teje? Pse e ngarkove mbi mua peshën e tërë këtij populli? 12 Po a thua se prej meje u ngjiz ose leu i gjithë ky popull që të më thuash: ‘Mbarte ngrykë siç e mbart nëna foshnjën kur i jep gji dhe çoje në tokën për të cilën u përbetove etërve të tyre?’ 13 Ku ta marr mishin që t’ia jap këtij populli? Ankohen kundër meje e thonë: ‘Na jep të hamë mish!’ 14 Unë nuk jam i zoti ta mbart vetëm tërë këtë popull, sepse është për mua tepër i rëndë.
15 Nëse do të veprosh kështu me mua, të lutem ma merr jetën, në qoftë se u pëlqej ndonjë fije syve të tu, që të mos i shikoj më të këqijat e mia.«

Përgjigjja e Zotit

16 Atëherë Zoti i tha Moisiut:
»M’i bashko shtatëdhjetë burra prej pleqve të Izraelit, që ti e di se janë pleqtë e popullit dhe mësuesit e tij dhe m’i sill te dera e Tendës së takimit, dhe aty le të qëndrojnë në këmbë bashkë me ty.
17 Unë do të zbres dhe aty do të bisedoj me ty dhe do të marr prej frymës sate e do t’u jap atyre që bashkë me ty ta mbartin barrën e popullit që të mos mbesë e tërë pesha mbi ty. 18 Kurse popullit thuaj: Shenjtërohuni se nesër do të hani mish. Sepse vetë ju dëgjova duke u ankuar: ‘Kush do të na japë të hamë mish? Sa mirë që ishim në Egjipt!' Zoti do t’ju japë mish e do të hani 19 jo vetëm një ditë, dy ditë, ose pesë ose dhjetë ose edhe njëzet,
20 por derisa të kryhet muaji, derisa të mos ju dalë për hundësh e derisa t’ju neveritet, sepse e përbuzët Zotin që është midis jush dhe u ankuat para tij: ‘Pse dëgjuam të dalin prej Egjiptit?' 21 Moisiu përgjigji: »Populli në të cilin jam, ka gjashtëqind mijë këmbësorë e ti thua: ‘Do t’u jap të hanë mish për krejt një muaj!' 22 A thua do t’i shuajmë dele e lopë për t’i ngirë? Apo do të mblidhen në një të gjithë peshqit e detit për t’i ngopur ata?«
23 Zoti i përgjigji: »Pse a i është shkurtuar dora Zotit? Qysh tani do të shohësh a do të vërtetohet apo jo fjala ime.«

Ndikimi i Shpirtit

24 Moisiu doli dhe i tregoi popullit fjalët e Zotit. I mblodhi edhe shtatëdhjetë burrat prej pleqve të Izraelit e i vendosi përreth Tendës.
25 Zoti zbriti në re dhe zuri të bisedojë me Moisiun. Nga fryma që ishte në Moisiun mori dhe u dha shtatëdhjetë burrave pleq. Kur Shpirti pushoi mbi ta, filluan të profetizojnë, por këtë nuk e bënë askurrë më. 26 Porse dy pleq ndenjën në tëbanishtë. Njëri quhej Eldad e tjetri Medad. Edhe mbi ta pushoi Shpirti. Edhe këta ishin shënuar, por nuk erdhën te Tenda. Kur filluan të profetizojnë në tëbanishtë, 27 vrapoi një djalosh e i tregoi Moisiut me këto fjalë: »Eldadi e Medadi po profetizojnë në tëbanishtë!« 28 Jozuehu, biri i Nunit, që Moisiu e kishte zgjedhur t’i shërbejë qysh të ri, tha menjëherë: »Ndalojau, Imzot, Moisi!«
29 Kurse Moisiu përgjigji: »Po a ke smirë për mua? Eh, po të ishte e mundur që i tërë populli të profetizojë e Zoti t’ia jepte Shpirtin e vet!«
30 Atëherë Moisiu dhe pleqtë e Izraelit u kthyen në tëbanishtë.

Shkurtat

31 Atëherë, me urdhër të Zotit, u çua një erë dhe shkurtat i mbarti prej përtej detit dhe i qiti dhe i lëshoi në tëbanishtë gjithkund rreth e rrotull në një largësi sa mund të ecet një ditë. Fluturonin lart në ajër dy kutë përmbi tokë.
32 T’u çua populli e të mblodhë shkurta gjithë ditën e gjithë natën atë ditë e të nesërmen. Ai që mblodhi më pak kishte dhjetë homera. Atëherë i shtrinë nëpër tëbanishtë. 33 Ende duke e pasur mishin ndër dhëmbët e tyre, ende pa e përçapur mirë, kur qe, u ndez felgrimi i Zotit kundër popullit dhe i çoi një shuplakë të rëndë tesve.
34 Ky vend u quajt Cibrotataava, sepse aty i varrosën ata që i mbizotëroi grykësia.
35 Nga Cibrotataava u nisën drejt Haserotit dhe aty ngulën tëbanishtën.

Lexime: 41