Besëlidhja e Vjetër

Libri i Numrave

19

Hiri i mëshqerrës së kuqe

1 Zoti foli me Moisiun e me Aronin e tha:
2 »Kjo është një vendosje ligjore që e caktoi Zoti. Urdhëroju bijve të Izraelit ta bien te ti një mëshqerrë të kuqe, të shëndoshë, të patëmetë dhe pa u mbrehur në zgjedhë. 3 Jepja Eleazarit prift. Le të qitet jashtë tëbanishtës e le të theret para syve të tij. 4 Ai le ta ngjyejë në gjak të saj gishtin e le të stërpikë shtatë herë në drejtim të hyrjes së Tendës së takimit. 5 Atëherë le të digjet në praninë e tij e le të digjen: lëkura, mishi, gjaku dhe uti i saj. 6 Prifti le të qesë në flakë në të cilën e djeg mëshqerrën një dru cedri, hisop dhe një pëlhurë të kuqe. 7 Atëherë, pasi t’i ketë larë petkat dhe trupin, le të hyjë në tëbanishtë dhe do të jetë në gjendje të papastër deri në mbrëmje. 8 Po ashtu edhe ai që ta ketë djegur, le t’i lajë petkat dhe trupin dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 9 Kurse një njeri në gjendje të pastër le ta mbledhë hirin e mëshqerrës e le ta vendosë jashtë tëbanishtës në një vend të pastër që të ruhet për bashkësinë e Izraelit për të përgatitur ujin e pastrimit.
10 Ai që do ta ketë mbledhur hirin e mëshqerrës, le t’i lajë petkat e veta dhe do të jetë në gjendje papastrie deri në mbrëmje.
Ky është një ligj i pandërrueshëm brez pas brezi si për bijtë e Izraelit ashtu edhe për të huajit që banojnë ndër ta.«

Raste papastrie

11 »Kush ta ketë prekur kufomën e njeriut për këtë arsye le të jetë shtatë ditë i papastër.
12 Le të stërpiket me këtë ujë të tretën e të shtatën ditë e do të jetë i pastruar. Nëse nuk stërpiket të tretën ditë, të shtatën ditë nuk do të jetë i pastruar.
13 Kush ta prekë të vdekurin, meitin e tij dhe nuk qe stërpikur me këtë përbërje, ai e përdhos Banesën e Zotit: i tilli le të shfaroset prej Izraelit, sepse nuk është stërpikur me ujin e shpagimit: do të jetë i papastër dhe ndyerësia e tij le të mbesë mbi të! 14 Ky është ligj për raste kur një njeri vdes në tendë: të gjithë ata që hyjnë në tendë dhe gjithçka gjendet aty, do të jenë të papastër për shtatë ditë. 15 Ena që nuk ka kapak ose nuk është e mbuluar, do të jetë e papastër. 16 Kush ta prekë në fushë kufomën e njeriut të prerë prej shpate ose të vdekur vetiu ose edhe eshtrat e tij ose edhe varrin, do të jetë i papastër për shtatë ditë. 17 Le të merret prej hirit të djegies për mëkat dhe le të qitet mbi të në një enë ujë i gjallë; 18 një njeri i pastër le ta ngjyejë në të hisopin e le ta stërpikë me të mbarë tendën dhe të gjitha orenditë edhe njerëzit që të jenë brenda si dhe mbi atë që i ka prekur eshtrat ose të vrarin ose atë që vdes vetiu ose varrin e tij. 19 Në këtë mënyrë i pastri le ta pastrojë të papastrin të tretën e të shtatën ditë; i pastruari të shtatën ditë, le t’i lajë petkat e le të lahet vet e në mbrëmje do të jetë në gjendje të pastër. 20 Por, po ndodhi se dikush që ishte i papastër e nuk u pastrua me këtë rit, le të çrrënjoset prej bashkësisë, sepse e ndoti Shenjtëroren e Zotit e nuk u pastrua me ujin e pastrimit: është i papastër. 21 Ky urdhër le t’ju jetë ligj i përhershëm.
Po edhe ai që stërpik me ujin e pastrimit, le t’i lajë petkat e veta: edhe ai që e ka prekur ujin e pastrimit, le të jetë i papastër deri në mbrëmje.
22 Çkado që të prekë i papastri, le të jetë i papastër, po edhe ai njeri që të prekë ndonjë send të tillë, le të jetë i papastër deri në mbrëmje.«

Lexime: 32