Besëlidhja e Vjetër

Libri i Numrave

33

Tëbanishtimet e Daljes

1 Këto janë tëbanishtimet e bijve të Izraelit që dolën prej Egjiptit nën udhëheqjen e Moisiut e të Aronit sipas njësive të veta,
2 të cilat i shënoi Moisiu sipas emrave të tëbanishtave, që i ndërronin sipas urdhrit të Zotit. 3 Shtegtuan, pra, prej Ramesit në muajin e parë, të pesëmbëdhjetën ditë të muajit të parë - ditën e dytë të Pashkëve - bijtë e Izraelit dolën lirisht ndër sy të egjiptianëve 4 që po varrosnin të parëlindurit që Zoti ua goditi për të bërë drejtësi kundër hyjnive të tyre, 5 dhe tëbanishtuan në Sukot. 6 Atëherë u çuan nga Sukoti e erdhën në Etam që është në kufi të shkretëtirës. 7 U çuan prej andej e erdhën në Fihahirot që është kundruall Beelsefonit dhe i ngulën tendat para Magdolit. 8 U nisën nga Fihahiroti, kaluan përmjedis detit e dolën në shkretëtirë dhe, duke udhëtuar tri ditë nëpër shkretëtirën Etam, tëbanishtuan në Marë. 9 U çuan nga Mara e arritën në Elim ku ishin dymbëdhjetë burime uji dhe shtatëdhjetë palma. Këtu ngulën tëbanishtën. 10 Kur u çuan edhe prej këndej, i ngrehën çadrat përngjat Detit të Kuq. U çuan edhe nga Deti i Kuq 11 e ngulën tëbanishtën në shkretëtirën Sin. 12 U çuan edhe prej andej e erdhën në Dafkë. 13 U çuan edhe nga Dafka e tëbanishtuan në Alus. 14 E lanë Alusin dhe i ngulën çadrat në Rafidim, ku popullit i mungoi uji i pijes.
15 Dolën edhe prej Rafidimit dhe ngulën tëbanishtën në shkretëtirën e Sinait. 16 U çuan edhe prej shkretëtirës së Sinait e arritën në Cibrotataavë. 17 Dolën edhe prej Cibrotataavës e ngulën në Aserot. 18 Prej Aserotit erdhën në Retmë. 19 U çuan edhe prej Retmës e tëbanishtuan në Remonfares. 20 Dolën edhe prej andej e erdhën në Lebnë; 21 prej Lebnës tëbanishtuan në Resë. 22 Dolën edhe prej Resës e erdhën në Ceelatë. 23 Dolën edhe prej andej e arritën në malin Sefer. 24 Dolën prej malit Sefer erdhën në Aradë. 25 U çuan prej andej e tëbanishtuan në Macelot. 26 E lanë Macelotin e erdhën në Tahat. 27 Prej Tahatit shkuan e tëbanishtuan në Tare. 28 U çuan edhe prej andej e tëbanishtuan në Metkë. 29 Prej Metkës tëbanishtuan në Hesmonë. 30 Dolën nga Hesmona erdhën në Moserot. 31 Prej Moserotit tëbanishtuan në Benejakan. 32 Prej Benejakanit u çuan dhe ngulën në malin Gadgad. 33 Prej këndej ngulën në Jetebatë. 34 Prej Jetebatës erdhën në Ebronë. 35 Dolën prej Ebronës e ngulën në Asiongabër.
36 Prej andej u çuan e erdhën në shkretëtirën Sin, d.m.th. në Kades. 37 E lanë edhe Kadesin e ngulën në malin Hor, në kufi të tokës së Edomit. 38 Në urdhër të Zotit Aroni prift u ngjit në malin Hor dhe aty vdiq. Ishte viti i dyzetë i daljes së bijve të Izraelit nga Egjipti, muaji i pestë, e para ditë e muajit,
39 e kishte njëqind e njëzet e tri vjet.
40 Kananeu, mbreti i Aradit, që banonte në Nageb, në dheun Kanaan, mori vesh se po vinin bijtë e Izraelit. 41 Ata e lanë malin Hor dhe ngulën tëbanishtën në Salmonë. 42 Prej andej erdhën në Finon. 43 U çuan edhe prej Finonit e ngulën në Obot. 44 Prej Obotit erdhën në Jeabarim, që është në kufi me moabitët. 45 U çuan edhe prej Jeabarimit dhe i ngulën çadrat në Dibongad. 46 Si dolën prej andej tëbanishtuan në Elmondeblataim. 47 Si dolën prej Elmondeblataimit erdhën në malet Abarim kundruall Nabos. 48 Si u çuan prej maleve Abarim, kaluan në rrafshet e Moabit, në bregun e Jordanit, kundruall Jerikut.
49 Dhe këtu ngulën tëbanishtën prej Betiesimotit e deri në Abelsetim, në rrafshet e Moabit.

Ndarja e Kanaanit. Urdhri i Hyjit

50 Këtu në fushat e Moabit, Zoti foli me Moisiun:
51 »Urdhëroju bijve të Izraelit e thuaju: Kur ta keni kaluar Jordanin e të keni hyrë në dheun Kanaan, 52 dëboni para jush të gjithë banorët e vendit, prishni të gjitha figurat e tyre, copëtoni të gjitha truporet e tyre dhe rrënoni të gjitha lartësitë e kultit të tyre. 53 Trashëgoni tokën dhe banoni në të, sepse unë jua dhurova atë për pronë.
54 Ju ndajeni ndërmjet fiseve tuaja. Fisit më të madh jepni një pjesë më të madhe e fisit më të vogël, një pjesë më të vogël: secili, ku t’i bjerë shorti, atë edhe të marrë për trashëgim; prona le të ndahet sipas fiseve të të parëve. 55 Por, nëse nuk do t’i dëboni banorët e vendit, atëherë ata që do të mbeten ndër ju, do të jenë ferrë për sytë tuaj dhe thumba për ijët tuaja, dhe do t’jua bien ngushtë në vendin e banimit tuaj;
56 dhe gjithçka kam menduar t’ua bëj atyre, do t’ua bëj juve.«

Lexime: 24