Besëlidhja e Vjetër

Libri i Zanafillës

Libri i Zanafillës


Zanafilla - (Genesis - Gjeneza, Të bërët, Prejardhja) hebr. Bere'shith - Në fillim, përmban parahistorinë në vështrim të përgatitjes së Popullit të zgjedhur.
Libri i Zanafillës është, pothuajse, themeli i tërë BV. Në të shkrimtari hebre shtjellon në pika më kryesore arsyen e krijimit të rruzullimit dhe jep arsyen biblike të krijimit dhe të historisë.


Zan, për nga ana e trajtës së jashtme, ndahet në 10 brezni - Tôledôth.



  1. Tôledôth-i i qiellit dhe i tokës (1, 1 - 2, 44a)

  2. Tôledôth-i i Adamit (5, 1)

  3. Tôledôth-i i Noehit (6, 9)

  4. Tôledôth-i i Noehit e i bijve të Noehit (10, 1)

  5. Tôledôth-i i Semit (11, 10)

  6. Tôledôth-i i Tares (11, 27)

  7. Tôledôth-i i Ismaelit

  8. Tôledôth-i i Izakut (25, 19)

  9. Tôledôth-i i Ezaut (36, 1)

  10. Tôledôth-i i Jakobit (37, 2)


Zan, sipas përmbajtjes paraqet:



  1. Parahistorinë e njerëzimit 1 - 11

  2. Historinë e patriarkëve të Popullit të zgjedhur 12 - 50
    a) Abrahami 12 - 25, 18
    b) Izaku 25, 19 - 26, 43
    c) Jakobi 27 - 50


Parahistoria e njerëzimit shërben si hyrje në Biblën - në historinë e shëlbimit. Nis nga fillimi i rruzullit, flet për njeriun e parë, rënien e tij dhe rrjedhimet e rënies; për përmbytjen. Me Noehin e drejtë toka banohet përsëri. Breznitë që më parë ishin në përgjithësi, tash përcaktohen në një njeri - në Abrahamin, që është trungu themelues i Popullit të zgjedhur.



  1. Abrahami - njeriu, besimi dhe nënshtrimi i plotë vullnetit të Hyjit. Pasardhësit e tij do ta fitojnë për pronë tokën e premtuar.

  2. Jakobi është njeri shumë dredhanik që i zuri vendin të vëllait, Ezaut. Gjithashtu e fiton me dredhi edhe bekimin atëror të Izakut dhe e shfrytëzon mjeshtërisht ungjin, Labanin. Por, s'i vlenin asgjë të gjitha dredhitë dhe aftësitë e tija po të mos e kishte parapëlqyer Hyji qysh në kraharorin e nënës. Dymbëdhjetë bijtë e Jakobit janë themeluesit e dymbëdhjetë fiseve të Izraelit.

  3. Izaku është figurë e zbehtë ndërmjet Abrahamit dhe Jakobit.

  4. Jozefi, njeri i drejtë dhe i pajisur me urti. Tregimi mbi të ka për qëllim të paraqesë se Hyji nuk heq kurrë dorë nga njeriu i mirë dhe i drejtë dhe se Perëndia prej të keqes, mëkatit, nxjerr të mirën.