Besëlidhja e Vjetër

Libri i Zanafillës

24

Martesa e Izakut

1 Abrahami tashmë ishte i moçëm, madje shumë i shtyrë në moshë dhe Zoti e kishte bekuar në gjithçka.
2 Atëherë Abrahami i tha më të vjetrit shërbëtor të shtëpisë së vet që i mbarështonte gjithë pasurinë që kishte: »Shtjere dorën tënde nën kofshën time,
3 që të bëj të më përbehesh për Zotin, Hyjin e qiellit dhe Hyjin e tokës, se djalit tim nuk do t’ia marrësh gruan prej bijave te Kanaanit, ndër të cilët banoj.
4 Por, do të shkosh në vendin dhe në vëllazërinë time, atje do t’ia marrësh nusen djalit tim, Izakut.«
5 Shërbëtori përgjigji: »Po në qoftë se gruaja nuk do të dojë të vijë me mua në këtë vend, a thua do të më duhet ta kthej djalin tënd në vendin prej të cilit dole ti?«
6 Abrahami i tha: »Ruaj se ma çon më djalin tim atje!
7 Zoti, Hyji i qiellit, i cili më mori prej shtëpisë së tim ati dhe prej atmes sime, ai që foli me mua dhe m’u përbe me këto fjalë: ‘Farës sate do t’ia jap këtë tokë, ai do ta dërgojë engjëllin para teje, dhe prej andej do t’i sjellësh djalit tim nusen.
8 Po qe se gruaja e tij nuk do të dojë të vijë pas teje, nuk do të lidhë përbetimi; porse djalin tim mos e kthe atje.«
9 Atëherë shërbëtori e futi dorën nën kofshën e Abrahamit, zotërisë së vet, dhe iu përbe për këtë gjë.
10 Shërbëtori i mori dhjetë deve të zotërisë së vet dhe u nis për rrugë. Mori me vete gjithfarë gjërash të çmueshme. E mori rrugën për Aram Naharaimin, qytet i Nahorit.
11 Pasi i ndali devetë dhe i bëri të pushojnë jashtë qytetit, pranë pusit, në mbrëmje ‑ në atë kohë kur gratë zakonisht dalin për të marrë ujë, tha:
12 »O Zot, Hyji i zotërisë tim, Abrahamit, po të lutem, më prij për së mbari sot dhe dëftoje miqësinë tënde ndaj zotërisë tim, Abrahamit.
13 Qe, unë po qëndroj pranë burimit të ujit dhe vajzat e banorëve të këtij qyteti do të dalin për të marrë ujë.
14 Bëj, pra, që vajza, të cilës t’i them: ‘Ule katrovën tënde, që të pi’, dhe ajo të përgjigjet: ‘Pi, por edhe deveve të tua po u jap të pinë’, të jetë ajo që ti e caktove për shërbëtorin tënd Izakun. Me këtë gjë do ta kuptoj se i dëftove miqësi ndaj zotërisë tim.«
15 Ky ende pa i kryer së thëni fjalët më vete, dhe ja, Rebeka ‑ bija e Batuelit, birit të Melkës, gruas së Nahorit, vëllait të Abrahamit, me katrovë në krah.
16 Vajza ishte shumë e hijshme, ishte virgjër që nuk kishte njohur mashkull. Zbriti te burimi, e mbushi katrovën dhe po kthehej.
17 Shërbëtori i doli para dhe i tha: »Më jep të pi një gërrç ujë prej katrovës sate!«
18 Ajo i përgjigji: »Pi, imzot!« Vrik e lëshoi katrovën prej krahut në dorë dhe i dha të pijë.
19 Kur ai piu, vajza shtoi: »Po ju nxjerr ujë edhe deveve të tua derisa te ngihen.«
20 E zbrazi katrovën në lugje, u kthye përsëri te pusi për të nxjerrë ujë dhe nxori e u dha të gjitha deveve.
21 Ai e vështronte në heshtje me dëshirë të dinte a thua Zoti po i jepte fund me sukses apo jo udhëtimit të tij.
22 Pasi devetë pinë ujë, njeriu nxori një unazë ari të rëndë një gjysmë sikli dhe ia vuri në hundë dhe dy mëdorëza për duar, të rënda dhjetë sikla.
23 Atëherë i tha: »Më trego bija e kujt je? A do të ketë vend në shtëpinë e babait tënd për të kaluar natën?«
24 Ajo përgjigji: »Jam e bija e Batuelit, birit të Melkës, që ia lindi Nahorit.«
25 Dhe shtoi: »Kemi mjaft byk e tagji dhe vend për të kaluar natën.«
26 Njeriu ra përmbys dhe e adhuroi Zotin e
27 tha: »Qoftë bekuar Zoti, Hyji i zotërisë tim, Abrahamit, që nuk pushoi të ketë përkrahje dhe besnikëri ndaj zotërisë tim dhe që më priu udhës së drejtë në shtëpinë e vëllait të zotërisë tim.«
28 Atëherë vajzukja u lëshua vrap për të lajmëruar në shtëpinë e s’ëmës gjithçka i ndodhi.
29 Rebeka kishte një vëlla që quhej Laban. Ky i doli me të shpejtë para njeriut te pusi.
30 Kur e pa unazën në hundën dhe mëdorëzat në duart e motrës së vet dhe pasi dëgjoi fjalë për fjalë se ç’tha Rebeka: »Kështu më tha ai njeri, « shkoi tek ai njeri që ishte me deve te burimi i ujit,
31 dhe i tha: »Hyr, i bekuari i Zotit, përse rri jashtë? E bëra gati shtëpinë dhe vendin për deve.«
32 Dhe e futi në shtëpi, i shkarkoi devetë. Deveve u qiti byk e tagji. Solli ujë për të larë këmbët ai dhe njerëzit që kishin ardhur me të.
33 Atëherë i shtroi tryezën. Por, ai tha: »Nuk do të ha para se të them ç’kam për të thënë.« Labani iu përgjigj: »Urdhëro e fol!«
34 Atëherë ai tha : »Unë jam shërbëtori i Abrahamit. Zoti e ka bekuar shumë zotërinë tim e është bërë njeri me rëndësi.
35 Zoti i ka dhënë bagëti të imëta e të trasha, argjend e ar, shërbëtorë e shërbëtore, deve dhe gomarë.
36 Dhe Sara, gruaja e imzotit, i lindi imzotit djalin në pleqërinë e saj. Atë Abrahami e bëri trashëgimtar të të gjithë pasurisë.«
37 Edhe imzoti më përbeu duke thënë: »Nuk do t’ia marrësh nusen djalit tim prej vajzave të kanaanëve, në dheun e të cilëve banoj;
38 por do të shkosh në shtëpinë e tim ati dhe do t’ia marrësh nusen djalit tim prej bijave të fisit tim.«
39 Unë i thashë imzotit: »Çka të bëj nëse gruaja nuk do të dëgjojë të vijë me mua?«
40 Zoti ‑ tha ai ‑ në praninë e të cilit jetoj, do ta dërgojë engjëllin e vet me ty dhe do t’ia çelë shtigjet udhës sate, do të m’ia marrësh djalit nusen prej fisit tim dhe prej shtëpisë tim ati.
41 Ti do të jesh i lirë nga mallkimi im vetëm kur të shkosh, e në mos ta dhënçin, atëherë do të jesh i lirë nga mallkimi im.
42 Erdha sot te burimi dhe thashë: ‘O Zot, Hyji i zotërisë tim ‑ Abrahamit, nëse do ta bësh vërtet të dobishëm udhëtimin tim që po e bëj,
43 ja, tek jam para burimit të ujit: atëherë, vajza që do të dalë për të marrë ujë, të cilës do t’i them: ‘Më jep të pi pak ujë prej katrovës sate’,
44 dhe të më thotë: »Urdhëro e pi dhe po nxjerr edhe për devetë të tua,« ajo është gruaja që Zoti e caktoi për djalin e zotërisë tim.
45 Ndërsa, unë në heshtje i përbluaja këto më vete, erdhi Rebeka me katrovë në krah. Zbriti te burimi dhe mori ujë. Unë i thashë: ‘Më jep të pi pak!’
46 Ajo vrik e lëshoi katrovën prej krahut dhe më tha: ‘Urdhëro e pi dhe po u jap të pinë edhe deveve? Unë piva po edhe gamilave u dha ujë.
47 E pyeta dhe i thashë: ‘E bija e kujt je?’ Ajo më përgjigji: ‘Jam e bija e Batuelit, birit të Nahorit, që i lindi Melka.’
Ia vura, pra, unazën në hundë dhe mëdorëzat në duar.
48 Rashë përmbys dhe e adhurova Zotin duke e bekuar Zotin, Hyjin e zotërisë tim, Abrahamit, që m’i çeli shtigjet e udhës së drejtë për të marrë bijën e vëllait të zotërisë tim për djalin e tij.
49 Prandaj, nëse doni të dëftoni mirësi dhe besnikëri ndaj zotërisë tim, më tregoni, por, në qoftë se ju pëlqen ndryshe, ma tregoni edhe këtë, që të shkoj djathtas ose majtas.«
50 U përgjigjën Labani dhe Batueli: »E paska thënë Zoti! Ne nuk mund të themi asgjë jashtë pëlqimit të tij.
51 Ja, Rebeka është para teje; merre e shko me të dhe u bëftë gruaja e djalit të zotërisë tënd, si ka thënë Zoti.«
52 Shërbëtori i Abrahamit, posa i dëgjoi këto fjalë, ra përmbys dhe e adhuroi Zotin.
53 Nxori stoli argjendi, ari dhe petka dhe ia dha Rebekës. Po edhe të vëllait dhe të s’ëmës së Rebekës u dha dhurata të çmueshme.
54 Atëherë hëngrën dhe pinë ai e njerëzit që ishin me të dhe aty e kaluan natën.
Si u çuan në mëngjes, shërbëtori u tha: »Më lejoni të kthehem te zotëria im«.
55 Vëllai dhe nëna e saj u përgjigjën: »Le të rrijë vajza së paku dhjetë ditë me ne e pastaj të vijë.«
56 Por, ai tha: »Pasi Zoti ma bëri udhën e frytshme, ju lutem, ju mos më ndalni. Më lejoni të nisem për te zotëria im!«
57 I thanë: »Le ta thërrasim vajzën e ta pyesim atë.«
58 Pasi e thirrën dhe ajo erdhi, e pyetën: »A do të shkosh me këtë njeri?« Ajo përgjigji : »Po«.
59 Atëherë e përcollën Rebekën, motrën e vet, nanshoren e saj dhe shërbëtorin e Abrahamit me përcjellësit e tij.
60 Motrës i uruan fatlumësi dhe i thanë:
»Motër‑o, motra jonë!
Me mijëra mijërash u shtofsh!
Fara jote i pushtoftë
dyert e armiqve te vet!«
61 U çua, pra, Rebeka dhe shërbëtoret e saja, hypën në deve dhe e ndoqën atë njeri. Shërbëtori e mori Rebekën dhe u nis.
62 Izaku u kthye prej krahinës së pusit Lahairoi dhe banonte në dheun Nageb.
63 Në muzg Izaku kishte dalë në fushë për të vajtuar. Si i çoi sytë, pa se po vinin disa deve.
64 Po edhe Rebeka i çoi sytë dhe e pa Izakun. Zbriti prej devesë
65 dhe i tha shërbëtorit: »Kush është ai njeri që po ecën fushës e po na del përpara?« Ai i tha:» Ai është zotëria im.« Ajo e mori me të shpejtë velin dhe u mbulua.
66 Shërbëtori i tregoi Izakut gjithçka kishte bërë.
67 Izaku e futi Rebekën në tendën e Sarës, nënës së vet, dhe e mori për grua. Ai e deshi dhe e gjeti në të ngushëllimin pas vdekjes së nënës së vet.

Lexime: 26