Besëlidhja e Vjetër

Libri i Zanafillës

3

Rënia

1 Ndër të gjitha egërsirat e fushës që Zoti Hyj krijoi, gjarpri ishte më dinaku. Ky i tha gruas: »Vërtet, Hyji ju urdhëroi që të mos hani prej asnjë peme të kopshtit?«
2 Gruaja i përgjigji: »Ne i hamë frutat e pemëve që janë në kopsht;
3 porse për frytin e pemës që është në midis të kopshtit, Hyji na urdhëroi të mos e hamë as të mos e prekim që të mos vdesim.«
4 Porse gjarpri i tha gruas: »Nuk do të vdisni assesi.
5 Madje Hyji e di se kurdo të hani prej saj, sytë tuaj do të hapen e do të bëheni porsi Hyji duke e njohur të mirën e të keqen.«
6 Atëherë gruaja pa se pema ishte e mirë për ta ngrënë dhe e bukur për t’u parë dhe pemë e dëshirueshme për të fituar dijen; gruaja mori prej frutit të saj dhe hëngri. Mandej i dha edhe burrit të vet që ishte me të. Hëngri edhe ai.
7 Atëherë u hapën sytë të dyve. Kur panë se ishin lakuriq, gërshetuan gjethe fiqsh dhe bënë mbështjellës për vete.
8 Kur mandej e dëgjuan zërin e Zotit Hyj që po shëtiste nëpër kopsht, në freskinë e pasditës, njeriu e gruaja e tij u fshehën para Zotit Hyj ndërmjet pemëve të kopshtit.
9 Zoti Hyj e thirri njeriun e i tha: »Ku je?«
10 Ky i përgjigji: »Dëgjova zërin tënd në kopsht e u tremba, sepse jam lakuriq e u fsheha.«
11 Ai i tha: »Kush të tregoi se je lakuriq? A mos hëngre frutat nga pema prej së cilës të kam urdhëruar të mos hash?«
12 Njeriu përgjigji: »Gruaja që ma dhe për shoqe, ajo më dha frut prej pemës dhe hëngra«.
13 Atëherë Zoti Hyj i tha gruas: »Pse e bëre këtë?« Gruaja përgjigji: »Më gënjeu gjarpri dhe hëngra.«
14 Atëherë Zoti Hyj i tha gjarprit:
» Pasi e bëre këtë gjë
qofsh mallkuar ndër të gjitha bagëtitë
dhe kafshët e egra!
Do të ecësh përmbi barkun tënd
dhe do të hash pluhur në të gjitha ditët e jetës sate!
15 Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas,
ndërmjet farës sate e farës së saj:
fara e saj do të ta ndrydhë kokën,
kurse ti do t’ia sulmosh themrën.«
16 E gruas i tha:
»Do t’i shtoj mundimet e shtatzënisë sate,
në mundime do t’i lindësh fëmijët,
dëshirimi yt do të të shtyjë kah burri yt
e ai do të sundojë mbi ty.«
17 Kurse njeriut i tha:
»Pasi e dëgjove zërin e gruas sate
dhe hëngre frutin prej pemës që ta pata ndaluar ta hash:
Për shkak tëndin qoftë mallkuar toka!
Prej saj me mund do ta nxjerrësh kafshatën
për çdo ditë të jetës sate.
18 Do të të prodhojë ferra e halluga
dhe do të ushqehesh me barishte toke.
19 Me djersë të ballit tënd do ta hash bukën
derisa të mos kthehesh në dhe
prej të cilit qe nxjerrë,
sepse pluhur je dhe në pluhur do të kthehesh!«
20 Njeriu e quajti gruan e vet Evë, sepse ajo është nëna e të gjithë të gjallëve.
21 Zoti Hyj ia bëri njeriut e gruas së tij petkat prej lëkure dhe i veshi.
22 Atëherë Zoti Hyj tha: »Qe, njeriu u bë gati si njëri prej nesh duke e njohur të mirën e të keqen; tash, pra, s’do të ishte mirë ta shtrijë dorën e të marrë prej pemës së jetës e të hajë dhe të jetojë për amshim.«
23 Zoti Hyj e dëboi njeriun prej kopshtit të Edenit që ta punojë tokën prej së cilës qe krijuar.
24 E dëboi njeriun dhe, në lindjen e kopshtit të Edenit, i vendosi kerubinët e shpatën flakëruese e vringëlluese për ta ruajtur shtegun e pemës së jetës.

Lexime: 34