Besëlidhja e Vjetër

Mikea

Profecia e Mikesë


- Të drejtat e skamnorëve -


Emërtimi - Libri quhet Profecia e Mikesë sipas emrit të profetit, predikimet e të cilit na sjell.
Autori dhe koha e krijimit - Për autorin nuk dimë shumë. Ai vetë në 1, 1 na thotë se është Morastitas, pra, nga një vend i vogël në jug të Palestinës afër Getit të filistenjve. Ishte me prejardhje të vegjëlisë - fshatar.
Veprimtarinë e vet e ka zhvilluar në kohë të mbretërve të Judës: Joatamit, Akazit e të Ezekisë dhe qe bashkëkohës me Amosin, Ozenë e Isainë. Edhe koha e krijimit të librit duhet të merret në këtë kohë shek. VIII - VII para Krishtit.
Ndarja e librit - Libri zakonisht ndahet në katër pjesë:
I. 1, 2 - 3, 12 ku flet për gjykimin e Izraelit: kërcënime e dënime;
II. 4, 1 - 5, 14 ku flet për premtimet e dhëna Sionit;
III. 6, 1 - 7, 7 gjykimi i ri kundër Izraelit me qortime e me kërcënime;
IV. 7, 8 - 20 ku flet për shpresën e ripërtëritjes së Izraelit.
Porosia e profecisë - Mikeja është profet që thërret e kërkon drejtësinë shoqërore për të nëpërkëmburit, për skamnorët e shfrytëzuar nga të mëdhenjtë e pasanikët. Padrejtësia shoqërore për profetin është mëkat që kërkon gjyq në qiell.
Predikimet e tija janë plot kërcënime e thirrje në ahmarrje, por nuk është ky qëllimi i profetit. Në mënyrën e të shprehurit të kohës profeti ka për qëllim të vërë në pah gjithëpushtetësinë e Hyjit dhe pashmangëshmërinë e vendosjes së drejtësisë hyjnore. Kush e lexon njëherë me vëmendje Mikenë 6, 8 lidhur me besimin e vërtetë e jo atë shtiarak si dhe 7, 18 - 20 mbi faljen hyjnore, veçori e qitur në pah bukur prej profetit, ai nuk e harron më Mikenë.