Besëlidhja e Vjetër

Nahumi

Profecia e Nahumit


- Rënia e perandorisë skllavëruese -


Emërtimi - Libri quhet Profecia e Nahumit, sipas emrit të profetit, profecitë e të cilit na sjell.
Autori e koha e krijimit - Për autorin nuk dimë, pothuajse, asgjë. Ai për vete thotë se është Elcezeas, nga një vend që ende nuk jemi në gjendje ta identifikojmë. Libri duhet të jetë shkruar që nga viti 626-612.
Ndarja:



  1. Titulli 1, 1;

  2. Hyrja 1, 2 - 2, 1;

  3. Rrënimi i Ninivës 2, 2 - 3, 19.
    Libri - Vepra e profetit Nahum është vepër letrare e spikatur, por nuk është më pak religjioze. Në gërshetimin e gëzimit të patregueshëm për rrënimin e armikut robërues me ndjenja të forta ahmarrëse, gjithmonë duhet të kihet parasysh se mendimi i autorit është: Vaj për atë që çohet kundër Zotit qoftë edhe si perandoria siriane, sepse, nën shkopin e drejtësisë hyjnore, do të shpartallohet! E kjo, jo pse Zoti është ahmarrës, por pse s’lejon të robërohet njeriu prej njeriut. S’ka pushtet njerëzor që mund ta keqpërdorë sundimin që i përket Zotit e, çdo skllavëri do të mbarojë, një herë me çlirim nga mëkati, e pastaj edhe politikisht. Hyji paraqitet si një vigan i madhërueshëm, para të cilit s’ka gjë që mund t’i bëjë ballë. Megjithatë, po ky Hyj i gjithëpushtetshëm, përkulet me dashuri përbri të voglit të shtypur padrejtësisht dhe e çliron.