Besëlidhja e Vjetër

Osea

PROFETËT E VEGJËL


Profetët e vegjël


Në kanonin biblik hebraisht, libri i fundit i Profetëve, quhet thjeshtë:Të dymbëdhjetët. Duket se është mbajtur si një libër i vetëm i përbërë prej 12 librave - predikimeve të dymbëdhjetë profetëve. Të Shtatëdhjetët - greqisht - i quajnë Dodekaprophȇtȏn- dymbëdhejtëprofetëve /nënk. Libri/.
Këta qenë përmbledhur me siguri në një libër kryesisht në kohën e Siracidit /Sir 49,10/.
Kisha këta profetë i quan: »Të vegjël«, që s'do të thotë se kanë rëndësi të vogël, por pse shkrimet e tyre janë të shkurtëra.
Renditja e librave në LXX-tët nuk është e njëjtë me Biblën hebraisht, kurse Vulgata ka po atë renditje të Biblës hebraisht.


# Profecia e Ozesë
### - Dashuria besnike, lidhje e përhershme -
**Emërtimi -**Libri quhet: **Profecia e Ozesë,**sipas emrit të profetit, predikimet e të cilit i përmban.
**Kush është Ozeja? -**Me prejardhje nga Mbretëria e Veriut ose siç quhej edhe Izraeli ose Efraimi. Nuk dimë shumë për të, por veprimtarinë e zhvilloi në kohën e Jeroboamit II e nën mbretërinë e pasardhësve të tij; por nuk duket se e përjetoi rrënimin e Samarisë: pra, fillon diku rreth vitit 750 deri-diku para vitit 721, kur ndodhi rrënimi i Samarisë.
**Ndarja e librit -** Libri mund të ndahet në:
1. Titullimi 1,1;
2. Martesa e Ozesë e vështrimi simbolik i saj 1,2 - 3;
3. Fajet e Izraelit e ndëshkimi i tij 4 - 14,1;
4. Kthimi i Izraelit 14,2-10.
**Përmbajtja -** Ozeja është profet i bindur thellë në dashurinë e Hyjit ndaj Popullit të zgjedhur, i cili nuk i përgjigj dashurisë hyjnore. Këndej Ozeja thërret, qorton e kërcënon që nga mbreti, të parët e priftërinjëve deri në më të voglin izraelit.
Dashurisë së Hyjit që s'i përgjigjët populli e paraqet simbolikisht i shtytur nga drama e jetës së vet. Ozeja ishte martuar me grua lavire, të cilën e donte. Por kjo lavirësoi duke e shkelur besnikërinë e martesës. Izraeli i dashur prej Hyjit me dashuri si dashuria bashkëshortore, që nuk lejon shkeljen e besnikërisë, nuk i përgjigj Hyjit e shkon pas hyjnive të huaja - idhujtarisë: porsi lavirja që tradhton burrin ashtu edhe Izraeli e tradhton dashurinë e Hyjit duke u dhënë pas hyjnive të rreme e duke u larguar nga Hyji i vërtetë.
Kreu 2 është çelësi i tërë librit: Izraeli, populli i shenjtë, është bashkëshortja e Hyjit, por sillet porsi kurorëshkelëse e lavire dhe kështu shkakton felgrimin e mendjezezinë e Hyjit. Hyji veç e do vazhdimisht: Ai do ta ndëshkojë, por me qëllim që ta kthejë e të gëzojë lumturinë e dashurisë së parë.
**Porosia -**Ozeja me gjithë që paraqitet shumë i zymtë është predikatar i lidhjes së ngushtë me Besëlidhjen dhe, ndëshkimet e mjerimet e paraqitura në predikimet e tija, janë gjithherë të drejtuara për kthimin shpirtëror kah Zoti. Në Ozenë spikat mendimi se Zoti është i pandërrueshëm, por jo i pandërrueshëm si guri, por i pandërrueshëm në dashurinë e vet të vazhdueshme ndaj popullit të Izraelit - prandaj ndaj njeriut të veçantë e në përgjithësi /11,8-9; 2,25/.
Kur në ne të mbizotërojë ideja e thatë e abstrakimit mbi Hyjin, e bazuar thjesht mbi fuqinë e mendjes dhe zemra na mbetet e ftoftë ndaj Hyjit, atëherë është mirë të marrim në dorë librin e Ozesë.