Besëlidhja e Vjetër

Libri i Kishtarit

Libri i Kishtarit


- Përsiatje mbi gjendjen e njeriut -


Emërtimi - Ky libër në Biblën hebraishte quhet »Kohelet«. Nuk është emër i përveçëm si do të na dukej, por trajta e participit të gjinisë femërore nga »kahal« që do të thotë: bashkim, mbledhje, tubim. Këndej edhe Kohelet do të thotë: Mbledhësi, bashkuesi, tubuesi, ai që udhëheq, prin, mëson e predikon në mbledhje. Të Shtatëdhjetët e përkthyen në greqisht Ekklesiastes që mandej e mori edhe Vulgata dhe nuk e ndryshoi as edhe Vulgata e re por e la me »Liber Ecclesiastes«. Edhe ne po e lëmë me këtë emër: Kishtari.
Autori - Në këtë libër thuhet se autori i Kishtarit është Salomoni, biri i Davidit, mbret i Jerusalemit /1, 1; krhs. 1, 12.16; 2, 4-10/, por kjo duhet marrë si fikcion letrar pasi librat e dijes - të urtisë, i mbështeten Salomonit. Kishtari duhet të jetë shkruar ndërmjet Jobit e Sirakut dhe afërsisht në gjysmën e dytë të shekullit III para Krishtit nga një shkrimtar i panjohur.
Përmbajtja e ndarja e librit - Libri zakonisht ndahet në dy pjesë kryesore, por, prejse në vetë librin nuk mund të shihet një plan i përpiktë i autorit, çdo ndarje mbetet pak a shumë subjektive.


Hyrja 1, 1-3;
PJESA I:
Parathënia: Mërzia: 1, 4- 4, 11:
Katër mënyrë zhgënjimi:



  1. Jeta e Salomonit: 1, 12-2, 26;

  2. Vdekësia: 3;

  3. Individi dhe shoqëria: 4, 1- 5, 8;


  4. Paraja: 5, 9-6, 12.


    PJESA II:
    Parathënia: Të qeshurit 7, 1-7;
    Katër mënyrë zhgënjimi:
    1. Shpagimet: 7, 8- 8, 15;
    2. Dashuria: 8, 16-9, 10;
    3. Rasti: 9, 11-11, 6;
    4. Mosha: 11, 7- 12, 8;
    Përfundimi: 12, 9-14.



Mendimet e Kishtarit - Koheletit - Thënia me të cilën e fillon dhe e përfundon librin: »Kotësi kotësish e gjithçka është kotësi« /1, 2 dhe 12, 8/, ka mjaftuar që Kishtari të fitojë epitetin: skeptik, pesimist madje 'avant la lettre', edhe ekzistencialist, epikureist dhe hedonist. Të gjitha këto epitete e kanë disi burimin e vet edhe në libër, porse asnjëri nuk mund të vërtetohet plotësisht. Nuk është skeptik, sepse është besimtarë në Hyjin e drejtë dhe patrandësisht mbështetet në Provaninë hyjnore, s'është pesimist i plotë, sepse u gëzohet krijesave dhe vetë krijimit, s'është ekzistencialist i zymtë, sepse gjen arsye të jetës së lumtur në përdorimin e të mirave materiale, por ndalon shpërdorimin.
Vërtetë ai nuk është asket i krishterë, por gëzimet e kënaqat i cilëson si »dhuratë e Hyjit« /2, 24; 3, 13; 5,18 etj./, por ai, si mendimtar, flet edhe për pesimizëm dhe përfundon se »Hyji është qëllimi i njeriut« /6, 10; 12, 7/. Mendoj se duhet të thuhet, pa frikë gabimi, se ai është realist që vetë e merr jetën ashtu siç është dhe mundohet të bëjë edhe të tjerët ta marrin ashti siç është. Kërkon dhe me tërë librin e vet thotë se njeriu është njeri e jo as »engjëll« as »djall«.
Si ta lexojmë Kishtarin? - Me përsiatje të vazhdueshme, të thella, të bukura por, sa herë me ankth e jo pa ironi të thellë, e shtron përpara pyetjen e madhe e për mendues shqetësuese, ndrydhëse që kërkon përgjigje të kënaqë shpirtin e njeriut: Cila është në të vërtetë gjendja e jetës njerëzore? Shpeshherë të duket se shkatërron gjithçka të mirë ke menduar për jetën njerëzore. Përqesh shumë herë mendimin tradicional edhe të librave të mëparshëm të Biblës. Vë në pah me guxim, e këtu qëndron përsiatja e tij e thellë, se: drejtësinë në jetë nuk e përcjell si rrjedhojë mirëqenia. Pohon qartas se i drejti sa herë vuan e i keqi gëzon në këtë jetë. Në të vërtetë Kishtari na e hedh përpara kocin e problemit pa pretendim ta zhvillojë, më tepër na udhëheq të përsiatim vazhdimisht pa kryengritje dhe përfundon se duhet t'i nënshtrohemi vullnetit të Krijuesit.
Kishtari edhe për ditët tona mbetet bashkëkohor: në krizën e mendimit që e cilëson kohën tonë, ai i flet ndërgjegjes së mendimtarit të ngulë shikimin e vet drejt në Krijuesin dhe është e kotë të ngulësh besimin tënd në pasuri apo në njerëz, se sot të lavdërojnë e nesër të poshtërojnë. Me zgjuarsi thekson se njeriu vlen aq sa është e di t'i përdorë të mirat që janë dhuratë e Zotit dhe jo aq sa ka.
Mandej duhet lexuar si libër »kalimi« nga besimi i kohës në besimin e ardhshëm. Autori thotë se suksesi i jetës tokësore të njeriut nuk është qëllimi i saj: s';është kjo shpërblimi i Hyjit. Ishte kjo në planin hyjnor të përgatitjes së njerëzimit të mund ta pranojë një ditë »fjalën shkandulluese« të Mësuesit të përhershëm: »Lum të vobektët... Lum të butët... Lum pajtuesit....«