Besëlidhja e Vjetër

Libri i Kishtarit

3

2. Vdekja

1 Gjithçka e ka kohën e vet
edhe secila punë nën qiell e ka momentin e vet:
2 kohë për të lindur e kohë për të vdekur,
kohë për të mbjellë e kohë për shkulur çka u mboll,
3 kohë për të vrarë e kohë për të shëruar,
kohë për të ndërtuar e kohë për të shkatërruar,
4 kohë për të qarë e kohë për të qeshur,
kohë për të bërë gjëmë e kohë për të kërcyer,
5 kohë për të shpërndarë gurë e kohë për t’i mbledhur,
kohë për t’u marr ngrykë e kohë për të mos u marr ngrykë
6 kohë për të kërkuar e kohë për të humbur,
kohë për të ruajtur e kohë për të flakur tej,
7 kohë për të qepur e kohë për të shqepur,
kohë për të heshtuar e kohë për të folur,
8 kohë për të dashur e kohë për të urryer,
kohë për të luftuar e kohë e paqes.
9 Ç’fites ka ai që punon prej mundit të vet? 10 E shqyrtoj punën që Hyji ua ka dhënë bijve të njerëzve për ta kryer. 11 Gjithaçka ai bën është e mirë në kohën e vet; por megjithëse ia ka dhënë mundësinë që njeriu ta ketë parasysh gjatësinë e sendeve të krijuara, megjithatë njeriu s’do të mund ta kuptojë veprën që Hyji e bën prej fillimit e deri në mbarim. 12 Kuptova se asgjë s’është më mirë për njeriun se të gëzohet e të bëjë mirë gjatë jetës së vet. 13 Mandej, çdo njeri që ha e pi dhe i gëzon të mirat e mundit të vet edhe kjo është dhuratë e Hyjit. 14 E kuptoj se të gjitha sendet që i krijoi Hyji do të qëndrojnë për amshim: ne nuk jemi në gjendje as t’u shtojmë as t’u mungojmë gjë: të gjitha Hyji i krijoi që ta kenë njerëzit frikën e tij. 15 Është tani çka ka qenë edhe më parë, çka do të jetë, ka qenë edhe më përpara: Hyji kërkon çka ka kaluar. 16 Por unë vura re nën diell edhe këtë: se në vend të së drejtës ka paudhësi dhe në vend të drejtësisë ka padrejtësi. 17 Atëherë thashë në zemrën time: »Hyji do t’i gjykojë të drejtin e bakeqin, sepse është koha për çdo gjë e për çdo veprimtari.« 18 Mandej lidhur me bijtë e njeriut thashë vete me vete: Hyji do t’i vërë në provë e do të dëftojë se ata prej vetvetes janë si bagëtia. 19 E vërtet fati i bijve të Adamit e të kafshëve është po i njëjti: siç vdes njeriu vdesin edhe ato. Kanë po të njëjtën frymë jetësore: njeriu s’ka asgjë më tepër se bagëtia, sepse gjithçka është kotësi.
20 Gjithçka udhëton drejt të njëjtit vend:
gjithçka vjen prej dheut
e gjithçka njësoj kthehet në dhe.
21 Kush e di se fryma jetësore e bijve të Adamit ngjitet lart e fryma jetësore e bagëtive zbret poshtë në dhe? 22 Këndej edhe e mora me mend se s’ka gjë më të mirë për njeriun se ta gëzojë mundin e vet, sepse kjo është fati i tij. E njëmend kush mund t’ia dalë ta bëjë të shohë se çfarë do të ndodhë pas tij?

Lexime: 54