Besëlidhja e Vjetër

Libri i Kishtarit

5
1 Mos fol gjë me guxim të tepruar dhe zemra jote të mos jetë e shpejtë për të thënë fjalë para Hyjit, sepse Hyji është në qiell e ti je në tokë: prandaj fjalët e tua të jenë të pakta.
2 Pas kujdeseve të shumta vijnë ëndrrat
e në fjalë të shumta gjendet marria.
3 Nëse ia ke bërë Hyjit ndonjë kusht mos vono t’ia kryesh: sepse Atij nuk i pëlqen premtimi i marrë, prandaj çkado që të kesh kushtuar, kryeje! 4 Është shumë më mirë të mos kushtosh asgjë se, pasi të jesh kushtuar, të mos e çosh në vend çka je zotuar. 5 Mos e lejo gojën tënde të të bëjë të mëkatosh dhe ruaj se thua përpara engjëllit: »E bëra nga pavëmendja!«, që Hyji të mos ketë arsye të hidhërohet kundër veprës së duarve të tua për shkak të fjalëve të tua e t’i shkatërrojë veprat e tua. 6 Prej shumë ëndrrave vijnë shumë zhgënjime e shumë fjalë: ti veç druaje Hyjin! 7 Nëse sheh se shkelen skamnorët, se shpërdorohen gjyqet e drejtësia në vend, mos u çudit për këtë punë, sepse mbi të madhin përgjon një edhe më i madh e pastaj edhe mbi të mëdhenjtë përgjojnë edhe më të mëdhenjtë; 8 kurse e mira e vendit është mbreti që kujdeset mbi gjithçka për punimin e tokave.

Paraja

9 Kush e do paranë me para s’do të ngihet, po edhe kush e do pasurinë, farë përfitimi s’do të ketë prej saj. Edhe kjo është kotësi.
10 Sepse, ku ka shumë pasuri, shumë janë edhe asish që e hanë gati, e atëherë ç’dobi tjetër ka pronari përveç se i shikon me sy?
11 Për punëtorin është i këndshëm gjumi
si në hëngërt pak si në hëngërt shumë;
kurse ngopja e të pasurit,
pasanikun nuk e lë të flejë.
12 Është edhe një lëngatë shumë e keqe që e pashë nën diell:
pasuria e ruajtur për të keqen e të zott.
13 13 Me një ndërmarrje të gabuar pasuria e tillë mbaron e djali që i lind të zott do jetojë në skamje të madhe. 14 Sikurse nga barku i s’ëmës lindi lakuriq, po ashtu lakuriq do të shkojë sikurse edhe erdhi, dhe asgjë s’do të marrë me vete prej mundit të vet. 15 Vërtet mjerim për t’u vajtuar: Si erdhi ashtu edhe shkon! Ç’përfitim ka që ka punuar? Si të kishte mihur në ujë! 16 Të gjitha ditët e jetës së vet i hëngri në errësirë, në kujdese të mëdha, në shqetësime e në trishtim! 17 Ja, ç’mendoj unë se është e mirë e e bukur: të hajë, të pijë e ta gëzojë me gëzim djersën e mundit të vet që iu desh ta bëjë gjatë jetës së vet nën diell që ia dhuroi Hyji, sepse vetëm kaq është fati i tij. 18 Kështu edhe çdo njeri, të cilit Hyji i dhuroi pasuri e kamje, ka të drejtë të plotë të hajë prej saj e të marrë pjesën e vet e ta gëzojë mundin e vet: edhe kjo është dhuratë e Hyjit. 19 Ai në të vërtetë s’do të mendojë tepër shumë për ditët e jetës së vet, sepse Hyji i jep kënaqësinë të gëzohet me gjithë zemër.

Lexime: 36