Besëlidhja e Vjetër

Psalmet

Libri i Psalmeve


Një libër urate


Sikurse edhe popujt e tjerë të Lindjës, po ashtu edhe populli i Izraelit, ka pasur prirje të fort për poezi. Këngë - poezi të shpërndara nëpër librat e ndryshëm të Shkrimit Shenjt gjejmë mjaft.
Në Shkrimin Shenjt poezi në vete janë Psalmet.
Emërtimi - Emri i këtij Libri a i këtyre këngëve vjen nga vegla muzikore, me të cilën përcilleshin këto këngë kur këndoheshin. Kjo vegël quhej »Psalterion« e ishte vegël muzikore me korda. Hebraisht quhet: »Sefer tehil'lim« ose thjesht »Tehil'lim« - »Libri i himneve« ose »Himnet«. Vulgata si dhe Vulgata e re e quajnë: » Libri i psalmeve«, që do të thotë: »Libri i këngëve të punuara për t'u kënduar të përcjella me vegël muzikore me korda.«
Numri - Si në origjinalin hebraisht, po ashtuedhe në përkthimin greqisht /LXX/ dhe në Vulgatë numri i psalmeve është 150. Në të vërtetë LXX bien edhe Psalmin 151, porse ky nuk gjendet në tekstin hebraik dhe Kisha askurrë nuk e ka pranuar për kanonik - të frymëzuar.
Në renditjen /numërimin/ e Psalmeve nuk ndiqet e njëjta mënyrë në origjinal e në përkthimet e Vulgatës. Kjo ka ndodhur sepse ndarja e Psalmeve nuk është bërë në të njëjtën mënyrë. Ne do të ndjekim mënyrën e rëndomtë që bëhet/ të tillë siç e ka Vulgata e Re/: në kllapa do të shënohet numri i Vulgatës.
Ndarja - Psalmet janë të ndara në pesë libra me rëndësi jo të barabartë:
Libri i parë: 1-41; Libri i dytë: 42-72; Libri i tretë: 73-89; Libri i katërt: 90-106; Libri i pestë107-150.
Por, në mbështetje të përmbajtjes së Psalmeve, biblistët e tanishëm ato i ndajnë në tri grupe:
a/ Himne lavdie - Në këtë grup përfshihen Psalmet: 8, 19, 29, 33, 46-48, 76, 84, 87, 93, 96-100, 103-106, 113, 114, 117, 122, 135, 136, 145, 150.
Komponimi pothuajse është gjithmonë i njëjtë: pas grishjes që të lavdërohet Zoti, vjen arsyeja e lavdërimit: mrekullitë në natyrë - krijimi, kujdesi i Hyjit në historinë e njerëzimit për shëlbim. Brenda këtij grupi veçanërisht dalin në pah dy lloje Psalmesh: këndimet e Sionit /Ps 46, 48, 76, 87/ dhe këndimet për nder të Zotit - Mbretit të gjithësisë, ku del në shesh qëllimi i kuptimit të qenies hyjnore - të Hyjit, Mbretit, jo vetëm të Izraelit, po të mbarë popujve të botës /Ps 47, 93, 96-98/.
b/ Psalmet e lutjes -ose të ankimit, ose të vajtimit. Ky grup Psalmësh nuk këndon lavdinë e Hyjit, por Atij i drejtohet për ndihmë. Zakonisht fillon me një kushtrim për ndihmë e në trupin e Psalmit bëhet çmos për ts nxitur Hyjin që ta largojë atë të vështirë për të cilën kërkohet ndihma.
Ky grup, pastaj, ndahet në dy degë: 1/ nëse flet për nevojën e një personi, atëherë është personal - individual, 2/ nëse flet për një vështirësi kombëtare a kolektive, atëherë është kolektiv. Kështu Psalme të lutjes kolektive janë: 12, 44, 60, 74, 79, 80, 83, 85, 106, 123, 129, 137. Rasti nxitës është një vështirësi shkatërruese kombëtare, një uri e gjithmbarshme apo diçka tjetër si këto.
Ndër Psalme me qëllime individuale merren: 3, 5-7,13, 17, 22, 25, 26, 28, 31, 35, 38, 42, 43, 51, 54-57, 59, 63, 64, 69-71, 77, 86, 102, 120, 130, 140-143, Ankimet për të cilat bëhet fjalë, janë të shumta e të larmishme: rreziku i ndjekjes prej armikut, salvime të ndryshme, mërgimi, pleqëria etj. etj.
c/Psalmet e falënderjes - Edhe ky grup ndahet në dy degë: falënderje individuale a kolektive, sipas falënderjes që bëhet në emër të individit a të bashkësisë.
Përpos këtyre tri elementeve kryesore: himnit, lutjes e falënderjes, hyjnë edhe elemente të tjera. Kështu elementin profetik - parakallëzues e takojmë ndër Psalmet 2, 50, 71, 81, 82, 85, 95, 110 etj. Të gërshetuar me këtë element profetik janë edhe Këndimet e Sionit e Këndimet Zotit, Mbretit të gjithësisë. Pasi mbreti në Izrael duhej »shuguruar« hebr.
»Mashiah - Mesia« kështu u trajtuan Psalmet mesiane. Drejtpërsëdrejti për Mesinë flasin këto Psalme: 2, 45, 72, 110. Mu Psalmi 110 është cituar më së shumti në BR!
Autori - Siç ia ka mbështetur tradita e vjetër Librat e Dijes mbretit Salomon, po ashtu edhe Librin e Psalmeve ia ka mbështetur mbretit David, këngëtarit të madh dhe rregulluesit të kultit në Izrael. Me siguri do të ketë shumë Psalme që arrijnë deri në kohën e davidit, por kur vjen çështja që të përcaktohet se cilat Psalme janë ato, atëherë puna del shumë më e vështirë se kujton njeriu. Titujt e Psalmeve - të cilët nuk mbahen për pjesë të frymëzuara, nuk na thonë shumë, pasi ata na flasin më tepër se cilës pjesë, cilit grup psalmesh i takon sesa për autorin.
Edhe Psalteri e ka historinë e zhvillimit të vet dhe ka lidhje të ngusht me librat e tjerë të BV, sidmos në Ligjin e Përtrirë e me Profetët.
Përdorimi -Me kohë Psalmet u bënë pjesë e lutjeve të caktuara pët Tempull. Në ta pasqyrohet krejt përshpirtnia e BV. Ato shprehin lidhjen e ngushtë me përjetimin shpirtëror të Popullit të zgjedhur me Hyjin e Besëlidhjes.
Psalmet jetojnë e vazhdojnë të përdoren edhe në krishterim. Ato bëhen uratë zyrtare e Kishës.
Vlera shpirtërore - Nuk është vështirë të kuptohet rëndësia dhe vlera e madhe shpirtërore e Psalmeve. Elementi religjioz është gjithkund i dukshëm. Vetë Hyji i ka shndrritur autorët e Psalmeve për t'i vënë në dukje ato vlera shpirtërore që më shumë tregojnë qëndrimin e njeriut ndaj Krijuesit.
Klithma e shprehur prej autorëve të këtyre poemave: humne lavdie Hyjit, kushtrim për ndihmë me lutjet e ankimit, të vajtimit e të falënderjes janë gjëra që sa të jetë njeriu - krijesë dhe Krijuesi - Hyji, nuk mund të mbarojnë askurrë, prandaj edhe vlera e tyre mbetet e përhershme.
Theksimi i huamarrjes - Njeriu duke i lexuar por, sidomos duke i përdorur si lutje, has në disa vende në Psalme në nëmë të mëdha, mallkime të forta e sidomos në kërkesa huamarrjeje kundër armikut, saqë shpesh mbetet i habitur. Por ato nuk duhen kuptuar shtu, si të ishin shkruar në ditët tona, por duhet ditur se janë shkruar para dritës së ungjillit dhe janë vënë në gojën e të përndjekurit të pafajshëm. Ato janë thirrje për drejtësinë hyjnore kundër atij që përdor dhunën dhe kanë domethënien se Hyji nuk mund ta durojë të keqen që shkakton njeriu kundër njeriut ose edhe kundër njerëzve - vëllezërve të vet. Por, dorën në zemër, këto Psalme përmbajnë diçka që edhe në zemrën tonë rri disi e strukur dhe ku hiri i mësimit të Krishtit nuk ka mundur ende të depërtojë. Por duhet menduar se këto Psalme kanë edhe një vështrim shumë më të thellë: dikur thuheshin kundër njeriut të paudhë, dhunues, kurse sotë kanë për qëllim luftimin e së keqes që Zoti gjithmonë e urren e Krishti e ka mundur, e jo më kundër personit; kundër mëkatit e jo kundër mëkatarit.