Besëlidhja e Vjetër

Libri i Rutës

Libri i Rutës


- NJË E HUAJ - STËRGJYSHE E MESISË -


Ky libër i vogël / s'ka përveç katër kapituj/ u quajt kështu sipas emrit të personit kryesor:Ruta. Ngjarja që përshkruan, duhet të ketë nfodhur në kohën e Gjyqtarëve.
Shumë prej emrave të mëdhenj të biblistëve, sidomos të fillimeve të krishterimit, e kan mbajtur si Shtojcë të librit të Gjyqtarëve.
Përmbajtja është shumë e thjeshtë: Elimeleku nga Betlehemi, i shtyrë prej gjendjës së vështirë ekonomike, e lë vendin e vet dhe, me gruan e dy djem, shkon në tokën e Moabit.
Ai vdes, djemtë i martohen me dy bija moabësh. Vdesin edhe djemtë e Noemia, nëna e djemve, mbetet kërcurë me dy reja pa fëmijë. Mendon plaka të kthehet në vendin e vet dhe rejat i vihen pas. Njërës ia mbush mendjen të kthehet në gjininë e saj, por tjetrës, Rutës, sia del dot. Ajo vjen me të në Betlehem dhe atje e marton me një kusheri të burrit - në bazë të ligjit të leviratit /Lp 25, 5-10/ dhe prej asaj martese lindi Obedi - gjyshi i Davidit .
Autori dhe koha e krijimit: autori mbetet i panjohur. Tradita, qoftë hebraike, qoftë e krishterë, ia mbështet Samuelit. Koha e krijimit - është e vështirë të përcaktohet. Ka të tillë që e mendojnë më herët, por shumica e vënë pas shpërnguljes, në kohën e ripërtëritjes me Ezdrën e Neheminë /rreth 500 para Kr./
Mesazhi: Një moabite /nga populli i përjashtuar, shih Lp 23, 4ev/, prej dashurisë që ka Zoti për të gjithë njerëzit, bëhet bijë e Izraelit e hyn në lëndën gjenealogjike të më të madhit mbret të Izraelit - stërgjyshe e Davidit e po kështu edhe e Mesisë /Mt 1, 3-5/.Ç'argument i bukur për t'u rrahur e ç'mësim!
A është Ruta tregim historik apo krijim letrar? S'është më siguri një punë e lehtë për ta provuar. Ka arsye të mendohet edhe si krijim letrar, pasi edhe kuptimi i emrave është disi si i paramenduar: Mahalon - debolim; Kelion - shkrirje; Rutë - mikeshë, shoqe; Orfë - ajo që kthen shpinën, pra që shkon, kthehet.
Nëse do të ishte kështu, atëherë porosia del shumë më e shquar.
Sidoqoftë, porosia e këtij libri të shkurtër, por si vepër letrare shumë e qëlluar, është edhe shumë aktuale: dashuria e përcjellë me nderim ndaj të afërmit, hapja ndaj të huajve me çlirim nga scoriet e nacionalizmit të ngushtë që zë frymën e përparimit, evaria ndaj hirit hyjnor, që thërret gjithkënd duke ndikuar në ndërgjegjen e njeriut, - janë mësime të begatshme, të shëndosha e gjithmonë të fuqishme, që i japin librit vlerë të përhershme.