Besëlidhja e Vjetër

Vajtimet

Vajtimet


- Një popull i përvujtëruar -


Emërtimi - Libri zakonisht quhet sipas emërtimit që ia dha Vulgata: Lamentationes - VAJTIMET. Bibla hebraike e quan, si bën rëndom me librat e tjerë, me fjalën e parë: 'EKAH-SI', kurse të Shtatëdhjetët e quajnë THRENOI - VAJE. Bibla hebraike e vendos në grupin e »Shkrimeve - Ketubim«.
Përmbajtja - Libri përbëhet nga pesë poema - këngë vajtimi. Si qendër duhet marrë mëkati, posaçërisht i priftërinjve dhe i profetëve, me të cilin e joshën popullin ta lërë rrugën e vërtetë e ta prishë Besëlidhjen me Zotin. Këndej Zoti edhe largohet prej popullit të vet, pothuajse veshet në re, që urata e popullit të vet të mos depërtojë tek Ai /3,44/ dhe ai heq dorë nga Qyteti /4,16/. Qyteti, që hebraisht është i gjinisë femërore - mbetet » e vejë«, fëmijët e saj /tij/ bonjakë. Por gjithkund në libër përshkohet ndjenja e thellë e shpresës së gjallë se Zoti do të sjellë faqe prej popullit të vet: »Na kthe(te ti), o Zot, e ne do të kthehemi« /5,21/.
Autori e koha e krijimit - Tradicioni, qoftë hebre, qoftë i krishterë, librin ia ka mbeshtetur profetit Jeremi. Mirëpo, kritika e biblistëve të sotëm nuk e pranon më Jereminë për autor. Autori duhet të ketë qenë një judeas që e ka përjetuar rrënimin e Jerusalemit, shkatërrimin e Tempullit dhe shpërnguljen me dhunë të popullit të Judesë. Mendohet se do të jetë krijuar për përdorim liturgjik, sepse duket se një lloj kulti do të ketë ekzistuar edhe pas rrënimit të Tempullit, ku në rrenojat e tija bashkoheshin judenjtë e mbetur në Palestinë për të vajtuar. Autori duhet të ketë qenë judeas i mbetur në vend. Se u krijua për përdorim liturgjik na flet edhe aryeja se u përdor dhe ende sot e kësaj dite përdoret në sinagoga dhe lexohet me rastin e agjërimit përkujtues të ngjarjeve të idhta të vitit 587 para Kr. të nëntën ditë të muajit Ab /korrik - gusht/. Liturgjia katolike e përdor në Triditshen e Javës së shenjtë /të enjten, të premten e të shtunën/.
Koha e krijimit nuk është lehtë të caktohet, por me siguri - pas ngjarjeve të vitit 587, pas shkatërrimit të Jerusalemit, pas djegies së Tempullit e pas bartjes me dhunë të popullit të Judesë në Babilon, në kohën e Nabukodonozorit.
Trishtimi në mjerimin fizik e moral të katastrofës politike e religjioze, sjellja mëkatare që e shtrëngon, të thuash Zotin ta ndeshkojë popullin e vet, shpresa në ndihmën e Zotit, Zotëruesit të historisë së përgjithshme dhe kombëtare, i japin këtij libri një bukuri tragjike, por që shpesh një shpresë të patrandshme në mirësinë e atërinë e Hyjit ndaj popullit të vet të zgjedhur, por njëkohësisht edhe ndaj të gjithë popujve edhe të ditëve tona. Prandaj edhe lexohet e përsiatet me kënaqësi, si të fliste edhe për ngjarjet e ditëve tona. Për këtë arsye është e mbetet libër shumë aktual.